Britania e  Madhe vazhdon të mbajë zi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, kur ditën e sotme arkivoli i Mbretëreshës u nis nga Balmoral rreth orës 10:00 dhe ka mbërritur në Edinburg. Më 19 shtator, në orën 11:00 (sipas orës lokale) do të bëhet ceremonia shtetërore e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II.

Arkivoli ka arritur në Pallatin e Holyroodhouse, rezidenca zyrtare e monarkut britanik në kryeqytetin skocez, dhe do të shtrihet në dhomën e fronit. Arkivoli i mbretëreshës do të qëndrojë aty deri nesër pasdite, ndërsa të martën pritet të mbërrijë në Londër.

Udhëtimi në këtë rrugë zakonisht zgjat rreth tre orë, megjithatë, autokolona e mjeteve do të drejtohen ngadalë në mënyrë që të njerëzit të shohin makinën me trupin e Mbretëreshës Elizabeth II përgjatë rrugës dhe të përkulin kokën në shenjë respekti dhe nderi.

Një kortezh prej shtatë automjetesh shoqëroi makinën ku ndodhet trupi i Mbretëreshës, në udhëtimin drejt Pallatit të Holyroodhouse, në Edinburg. Arkivoli, i mbështjellë me flamurin skocez dhe buqetë me lule, kaloi portat e Balmoral ndërsa mijëra njerëz kanë dalë në rrugën që do të ndjekë kortezhi për të nderuar Mbretëreshën.