Pas dorëheqjes së Ermal Dredhës më 10 shtator, Këshilli Bashkiak i Vlorës ka zgjedhur sot, më 22 shtator 2025, Elis Halilin si kryetarin e ri të Bashkisë. Halili, inxhinier dhe një prej nënkryetarëve aktualë të bashkisë. Ai u propozua nga anëtarët socialistë të Këshillit.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak u zhvillua mes debatësh të forta politike. Kryetari i këshillit të qarkut, Ervis Mocka, mori fjalën dhe propozoi zyrtarisht kandidaturën e Halilit. Ai deklaroi se kryetar do zgjidhet kandidati me më tepër vota.

“Duan apo nuk duan demokratët, Elis Halili do të zgjidhet me shumicë votash”.

Kryetari i Partisë Demokratike, dega Vlorë, Atird Hoxha, kundërshtoi mënyrën e procedimit, duke kërkuar që procesi të ndiqte me përpikëri rregulloren.

Ndërkohë, Klodian Xhyheri nga Partia Mundësia akuzoi shumicën për shkelje të rëndë kushtetuese.

“Sot i erdhi radha Ermalit, nesër do t’i vijë radha dikujt prej jush. Mos fërkoni duart, por ulërini që është shkelur Kushtetuta me të dyja këmbët”.

Pavarësisht kundërshtimeve, Këshilli votoi në favor të Elis Halilit, i cili tashmë merr zyrtarisht drejtimin e Bashkisë së Vlorës.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *