Partia Demokratike i ka shpërndarë një urdhër të gjithë zyrtarëve të saj që nuk duhet te dalin në media pa koordinuar më parë qëndrimin që do të mbajnë, mesazhin politik për temat që do diskutohen.

Gjithashtu çdo dalje mediatike për çështje politike duhet të realizohet me njoftimin paraprak nga zyra e shtypit e PD. Mesazhi që ka mbërritur në telefonat dhe e malet e të gjithë përfaqësuesve të partisë demokratike mban autorësinë e Alfred Rushajt, njeriut që Basha së fundmi i ka besuar postin e drejtorit të fushatave.

Ky njoftim për të disiplinuar partinë, erdhi pasi sekretarja pranë PD për të përndjekurit politike, Jonilda Godole në një interviste televizive kishte deklaruar se Partia Demokratike duhet të distancohet nga Berisha. Kjo pjesë e intervistës u publikua edhe nga gazeta e partisë demokratike rilindja, dhe shkaktoi shumë reagime, aq sa drejtuesit e gazetës e hoqën lajmin.

 Drejtuesi i RD Blendi Kasmi, reagoi ne facebook duke thënë se askush nuk e lëkund nga besimi se Berisha është burrë shteti, por fjala e lirë mbetet fjalë e lirë. Ndërkohë Nebil Çika ne emër të të përndjekurve deklaron se Jonilda Godole nuk i përfaqëson ata.

Ai thotë se Godole bëri gabim që foli për Berishën.

Por si mund të largohet Berisha nga skena politike? Përfaqësuesi i të përndjekurve politike thotë se kjo nuk mund të bëhet me ndikim nga jashtë.