Burime bëjnë me dije se Arenc Çela është zgjedhur në këtë detyrë.
Kolegji i Posaçëm i Apelit (KPA), pas seancave maratonë të zhvilluara, vendosi të mërkurën e 27 prillit të shkarkojë nga detyra Kryeprokuroren e Tiranës, Elizabeta Imeraj.
“Për pasurinë 2 mijë e 500 metra katrorë tek ish-fusha aviacion, subjekti nuk ka burime të ligjshme. Po ashtu edhe për tokën arë të ndodhur në Mullet nuk ka burime. Për apartamentin e ndodhur në Tiranë prej 66 m2 dhe shtesë subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë”, tha ajo të mërkurën e 27 prillit.
Gjithashtu, sipas Ramës, për kreditë e marra në 2006 dhe në 2008, subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë pasur pamjaftueshmëri për shlyerjen e tyre.
Sipas trupës gjykuese, Imeraj ka treguar sjellje jo profesionale, duke kontaktuar përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).
Seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelit (KPA) ndaj Imerajt nisi të martën e 12 prillit.
KPA mori vendimin për rihapjen e hetimit, ku do të merreshin për bazë edhe provat e depozituara nga vetë Imeraj.
Gjatë seancës, KPA-ja rrëzoi edhe kërkesën e Imerajt për thirrjen e dëshmitarëve.
Çfarë ka ndodhur një vit më parë?
Në 2021-in, Imeraj u konfirmua në detyrë nga Shkalla e Parë e Vetting-ut, me arsyetimin se i përmbushte të tria kriteret: ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin.
Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe Komisioneri Publik kërkuan shkarkimin nga detyra të kryeprokurores së Tiranës, me pretendimin se nuk përmbushte asnjërin nga kriteret.
ONM-ja, i cili është një organ rekomandues pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), kishte fuqi kundërshtuese në projektin në fillim të vetting-ut.
Por, më pas, u arrit në një kompromis me ndërkombëtarët që të ishte vetëm “rekomandues”.
Në këtë mënyrë, Theo Jacobs, vëzhguesi i ONM-së, në seancën e vitit të kaluar, paraqiti një sërë gjetjesh (rekomandime) në fjalën e tij.
Kjo, përfshirë dyshimet se Imeraj kishte tentuar të ndikonte në procesin e rivlerësimit përmes shantazhimit të një vëzhguesi ndërkombëtar dhe ndikimit të paligjshëm te njëra prej komisionerëve të trupës.
Por këto rekomandime nuk u pranuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili vendosi ta konfirmonte unanimisht Imerajn në detyrë.
Reagimi i ndërkombëtarëve/ONM-së
Pas vendimit të KPK-së, i menjëhershëm ishte reagimi i ndërkombëtarëve në Shqipëri.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, përmes një postimi në Twitter, u shpreh se duhet treguar kurajë dhe integritet në procesin e vetting-ut në drejtësi, në mënyrë që të thyhen modelet e vjetra në Shqipëri.
“A do t’i shërbejë media publikut dhe ta mbulojë çështjen me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do pranojnë të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër? Është koha për të treguar kurajë dhe integritet, është koha të thyejmë modelet e vjetra që dëmtojnë Shqipërinë. Koha që Shqipëria të ecë përpara, hap pas hapi. SHBA do të jetë me ju”, shkruante diplomatja amerikane.
Kësisoj, Komisioneri Publik, me kërkesë të ONM-së, vendosi ta ankimonte vendimin e KPK-së.
Imeraj, në seancën maratonë, zgjodhi të mbrohej prej një avokati të huaj nga Strasburgu, çka u pranua nga trupa gjykuese e KPA-së.
Ajo deklaroi se janë bërë tre denoncime të rreme ndaj saj dhe kjo ka sjellë edhe ankimin e konfirmimit të saj në detyrë.
Komisioneri Publik, nga ana tjetër, tha se për një apartament 73 metra katrorë ka deklarim të saktë e të justifikuar, por jomjaftueshmëri me paratë për ta blerë.
“Kredia e deklaruar për marrjen e apartamentit është e pamjaftueshme”, tha Komisioneri.
Ai u shpreh gjithashtu se, sipas ONM-së, divorci i Imerajt me bashkëshortin është fiktiv.
Sipas tij, prokurorja s’ka nivel të besueshëm për të vazhduar detyrën, ndaj duhet të shkarkohet.
Nga ana e saj, prokurorja Imeraj ka deklaruar se Komisioneri Publik pretendon për prova që nuk janë përfshirë në fashikull.
Sipas saj, ka disa prova që s’janë gjykuar më herët dhe nuk janë në dosje.
Kështu, më 27 prill, pas shqyrtimit të provave të reja, KPA vendosi shkarkimin nga detyra të Imerajt.