Nga Frrok Çupi/
Sot disa luftanije të Rusisë ndodhen në Mesdhe. Të gjithë thonë se i janë drejtuar Sirisë. NATO, përmes sekretarit të Përgjithshëm, Stoltenberg, i bëri thirrje Evropës që të bashkojnë forca rreth NATO-s për “t’i prerë krahët Rusisë”. Duhen 4000 forca. Në kulmin e tensionit, Spanja ishte gati t’i furnizonte me karburant luftanijet Ruse. Kishte një marrëveshje të nënshkruar në Shtator që e detyronte Spanjën.
Por ku shtatori e ku tetori, shumë larg nga njëri tjetri. Ngjarjet në botë po zhvillohen shumë vrullshëm sa mes njërit muaj dhe muajit tjetër, duken vite. Prej disa kohe, që nga Amerika dhe nga studiot e teoricienëve perëndimorë kishin ardhur zëra se “mund të kemi shpejt Luftën e Tretë”… Spanja u ndodh ngushtë para situatave të përshpejtuara dhe para “gishtit” të NATO-s që të mos furnizonte me karburant. Vetë Moska u tërhoq nga kërkesa ndaj Spanjës, njësoj siç bën “ariu polar”, siç e kanë quajtur Rusinë. Luftanijet vazhduan rrugën nëpër Mesdhe.
Tërheqja e Rusisë nga Spanja nuk është ndonjë shenjë e mirë; tërheqja dëshmon se “nuk e kam punën këtu në Spanjë”, por diku më larg. Rusia është nisur drejt Sirisë përmes Mesdheut. Luftanijet Ruse mund të vijnë këtu në Pashaliman, ku e lanë në vitin 1961. Kjo ishte bazë ushtarake Sovjetike; shumë gjëra janë kthyer që atëherë. Në radhë të parë është kthyer një lloj sovjetizmi në politikë dhe në sjellje. Sot, më e fundit, Presidenti i Republikës, i ardhur nga shtresa të persektuara nga sovjetizmi, u kërcënua pse dekoroi 67 martirë të Luftës së Dytë të pushkatuar nga një “Hero” sovjetik i komunizmit. Lufta mes kundërshtarëve në atë periudhë është nxehur përsëri. E pse të mos jetë kështu edhe për Bazën e Nëndetëseve në Pashaliman?…
Por nuk është ky shkaku kryesor. Një arsye është se rruga mesdhetare bie këndej, dhe qeveria e Shqipërisë nuk dihet çfarë do të bënte. Mbi të gjitha mund të mos bëjë asgjë. Ekonomia e vendit është rrënuar aq shumë sa nuk mund të kenë më përgjigje ndaj agresioneve, qoftë edhe Ruse. Me kanabis nuk po mbajnë dot barkun me bukë, e jo më mbrojtjen e sigurinë më këmbë.
Sot Nato ka kërkuar nga vendet anëtare (edhe Shqipëria) që të angazhojnë forca lufte, mesë cilëve 4000 ushtarë, avionë, armë dhe mjete lundrimi ushtarak. Çfarë do të akordojë Shqipëria?! Qeveria këtu kërcënon popullin e vet, kërcënon dhe burgos ata që nuk paguajë dot 20 mijë lek (të vjetra) për energjinë. Çfarë do t’i bëjë Rusisë ose edhe Luftës? Qeveria nuk është për këtë punë.
Nesër në mëngjes, të paktën tre luftanijet Ruse që mbetën pa furnizim në Spanjë mund të behin në Pashaliman. E çfarë pastaj? Duhej të kishte nisur lëvizja diplomatike, ose edhe më tej. Por asgjë deri më tani.
Britania e Madhe në këto momente po ngre ushtrinë që ta vendosë në kufi me Rusinë, në Poloni. Këtë po thonë lajmet e fundit. Me ish- republikat Sovjetike po luhet loja “me kë jeni?’- sipas Rusisë. Vetë Rusia po ankohet për flotiljen në vendet e Baltikut, mes këtij tensioni që është krijuar në NATO. Rusia tha sot paradite, përmes ministrit të Jashtëm, se Aleppo dhe Mosuli në Siri janë njësoj. Shenja e barazimit vihet me dhelpërinë për të thënë se “ju të NATO-s sulmoni Mosulin; ne do të sulmojmë Aleppo-n”. Në Aleppo janë të vendosura rebelët kundër qeverisë pro-ruse të Assad…
Të gjitha anijet dhe vëmendja janë drejtuar për në Siri. Por që atje mund të kthehet konflikti nëpër Mesdhe, siç po lundrojnë luftanijet Ruse drejt Sirisë. Mes Mesdheut është edhe Pashalimani ynë…
Çfarë po bën qeveria? Apo po merret me hapjen e konflikteve brenda për brenda?!
/VERITAS.COM.AL/