Mediat po sjellin lajme ose hamendje rreth kësaj çështjeje. Gazeta Panorama, e përditshme, ka publikuar sot një lajm sipas të cilit Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) paska dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një raport voluminoz me vëzhgime mbi plantacionet e mbjella me bimë narkotike që kanë mbuluar thuajse gjithë vendin.
Vëzhgimi mbi plantacionet dhe personat që e kultivojnë bimën narkotike ka nisur para dy muajsh, sipas gazetës. Prokuroria e Krimeve të rënda ka nisur verifikimet në lidhje me këtë raport të Policisë Sekrete.
“Hetimi, që është në fazën e verifikimeve, ka nisur më shumë se dy muaj më parë, pas informacioneve operative të referuara nga Shërbimi Informativ,” kanë thënë burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Por nuk bëhet e qartë cilët janë elementët që ka vëzhguar Shërbimi Informativ Shtetëror në këtë rast. Të ketë vëzhguar parcelat? Nuk ka arsye për vëzhgim sekret, sepse këto janë hapur në dritën diellit. Të ketë ndjekur autorët e kultivimit? Edhe këta janë të njohur nga Policia e Shtetit. Apo ka vëzhguar implikimin e zyrtarëve të lartë të shtetit në kartelin e drogës?… Kjo bëhet e pabesueshme, përderisa asnjë institucion hetimi e vëzhgimi deri më sot nuk kanë shfaqur kurojë të tillë dhe as kanë dhënë ndonjë provë.