Astrit Patozi sot ka folur për herë të parë publikisht për faktin që nuk është i pranishëm në listat e PD-së për deputet.

I pyetur nga gazetarët për zgjedhjen e tij për të qenë i pranishëm në seancë pavarësisht se nuk është më kandidat për deputet, Patozi tha se nuk ka ardhur të dorëzojë testamentin politik dhe se marrëdhënia e tij me PD nuk varët nga humori i Lulzim Bashës.

“Kush mendon që kam ardhur sot për të dorëzuar testamentin politik e ka shumë gabim. Nuk kam pasur mëdyshje për të ardhur sot. Është respekt për ata që më kanë zgjedhur dhe detyrim për forcën politike që më ka kandiduar 3 herë. S’kam mëdyshje dhe do vijë sa herë të më kërkohet deri sa përfundoj mandatin tim”, deklaroi Patozi.

Deputeti demokrat që mbeti jashtë listave të PD-së për kandidat për deputet mohoi një tërheqje të mundshme duke thënë se Basha e ka gjetur në këtë parti dhe aty do e lërë.

“Kush mendon se marrëdhënia ime me PD varet nga humori i Lulzim Bashës e ka gabim, sepse Lulzim Basha më ka gjetur aty dhe do më lërë aty kur do largohet. Në fushatë jam pak më modest se herët e tjera për shkak të zgjedhjes së zotit Basha”, tha Patozi.

Veritas.com.al/