Në studion e Top Talk, koordinatori i partisë më të re opozitare në vend, Astrit Patozi, theksoi se Bindja Demokratike nuk është për t’u mëshiruar dhe nuk është një zë i vogël, pasi në të kundërt PD nuk do të kishte interes që ta sulmonte atë më shumë se sa vetë qeverinë.

“Ne po garojmë, ata thonë se po u marrim njerëz. Le të vijnë edhe ata. Ne do marrim pjesën tonë”, u shpreh Astrit Patozi, duke nënvizuar se PD i ka lënë në një farë forme mbështetësit e saj në mes të rrugës.

I pyetur nëse do të mund të ketë një aleancë me PD, Patozi u përgjigj: “E para nuk mund të bëjmë koalicion me diçka që nuk ekziston. Mund të mendonim një koalicion të mundshëm me një forcë politike që është regjistruar në zgjedhje, por jo me një që thotë nuk do të ketë zgjedhje”.

Më tej Patozi shton se “Ne nuk kemi asnjë konsideratë. Ne duam që ky projekt i ri politik, të perceptohet të ndjehet nga njerëzit e të provohet”.

Por i ngacmuar se nëse Bindja Demokratike do të mund të bashkëpunojë me Partinë Socialiste, Astrit Patozi shprehet se forcën e tij politike nuk e lidh asgjë, e se janë rivalë.

“Bindja Demokratike nuk ka asgjë me PS dhe e ka kundërshtarin e saj kryesor. Nëse PD, na godet ne dhe jo PS, në këto momente është problem i tyre, jo i joni. Nëse ata nuk do të merreshin me ne, ne nuk do të thoshim asnjë fjalë për PD dhe LSI. Kjo e dyta, nuk ka thënë asgjë, as kundër dhe as pro”, tha patozi.

Më tej koordinatori i BD, theksoi se në “betejë” me PS, kjo e fundit i ka hequr nga lista një kandidat nga gara për kryetar bashkie. Sipas tij, tërheqja nga gara e kandidatit të tyre për Skraparin ka ardhur pas presioneve nga Partia Socialiste.

Arben Skënderaj do të jetë kandidati i Bindjes Demokratike për Bashkinë e Tiranës përballë Erion Veliajt, e për Astrit Patozin ai është më i miri.

Veritas.com.al/