Ditën e djeshme u mbajtën zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Ibsen Elezi ishin kandidatët e vetëm në këtë këtë garë. Berisha fitoi bindshëm në çdo degë të Partisë Demokratike. Procesi i votimit nuk njihet nga grupimi Basha, i cili pret vendimin e Gjykatës së Apelit. Me fitoren e Berishës a do “bojkotohet” PD nga faktori ndërkombëtar?
Nuk pritej asnjë befasi për kryetarin e ri të Partisë Demokratike të dala nga kutitë e votimit të 22 majit. Rreth orës 20.00 ka përfunduar procesi i votimit, ndërsa rezultati në të gjitha degët ka qenë në favor të ish-kryeministrit Sali Berisha, njëherësh ish kryetar legjendar i Partisë Demokratike. Ishte planifikuar që procesi i votimit të mbyllej në orën 18:00, por dukej se pjësëmarrja relativisht e ulët e anëtarëve të PD-së bëri që procesi të shtyhej edhe dy orë më shumë. Mbi 50 mijë demokratë kanë marrë pjesë në në votime. Shifrat e pjesëmarrësve në votim janë të përafërta me atë që grupi i Rithemelimit deklaroi që mori pjesë në “Referendumin” e 18 dhjetorit 2021, ku u mor vendimi për të shkarkuar kryetarin e atëhershëm Lulzim Basha.
Nga ana tjetër, fitorja e Berishës në këtë proces ishte thjesht një procedurë, pasi nuk pritej asnjë lloj suprize. I vetmi kandidat përballë Sali Berishes ishte Ibsen Elezi, i cili ka marrë shumë pak vota krahasuar me Berishën në çdo degë. Tashmë pritet reagimi i faktorit ndërkombëtar, ku SHBA është deklaruar prerazi se nuk do të bashkëpunojë me një forcë politike që drejtohet nga një person që është shpallur prej tyre non grata. Gjithashtu edhe nga vendet e tjera të BE-së sinjalet nuk janë të mira. Gjithsesi për ti vendosur kapakun “kazanit të madh” që zien në PD do të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit, ku do të shprehet nëse njeh Berishën kryetar, apo kryetarin në detyrë Enkelejd Alibeaj, i cili përfaqëson grupimin Basha, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen pas rezultatit katastrofik në zgjedhjet e pjesëshme lokale që u mbajtën më 6 mars, në gjashtë bashki të vendit./ Fjala.al