Grupi Parlamentar demokrat ka dalë sot me një strategji për të bashkuar partinë. Deputetët kanë kërkuar nga Komisioni i Rithemelimit që të negociojnë, por kanë vendosur një kusht. Ai është largimi i Sali Berishës.
Ishte nënkryetari Enkelejd Alibeja, ai i cili njoftoi vendimin, ku e bëri të qartë se Berisha duhet të distancohet nga partia. “Grupi parlamentar i PD vlerëson aktin e dorëheqjes së kryetarit të PD në funksion të zgjidhjes së problematikës, që ka shkaktuar një përçarje të thellë nga qendra në bazë. Grupi parlamentar i bën thirrje anëtarëve të pezulluar të grupit të PD që të ofrojnë të njëjtin mekanziëm për tërheqjen e zotit Berisha, që duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD, duke u bërë pjesë e zgjidhjes për të shmangur përçarjen dhe për të bërë të mundur bashkimin e demokratëve. Kërkojmë respektimin e vlerave dhe parimeve statutore të PD për shmangien e pasojave të deklaruara publikisht nga SHBA”, lexoi Alibeaj.