Përfaqësues të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar janë takuar sot me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të mesëm dhe shoqatën e biznesit të vogël të Shqipërisë ku janë njohur me problematikat e tyre.

Dorjan Teliti, Drejtori i kabinetit në PD dhe ekspert i ekonomisë deklaroi pas takimit për mediat se sot biznesi i vogël dhe i mesëm që është zemra e çdo ekonomie po përjeton një infarkt që ka ndrydhur praktikisht ekonominë shqiptare dhe që i zhyt shqiptarët akoma dhe më shumë në varfëri. Sipas tij, xhirot e biznesit janë përgjysmuar pasi shqiptarët nuk kanë para në xhepat e tyre. Ai prezantoi dhe një pjesë të paketës së PD për këtë kategori duke theksuar se do të hiqen të gjitha taksat dhe do të lihet vetëm tatimi 0.5% e xhiros vjetore.

“Sapo përfunduam takimin me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të mesëm, shoqatën e biznesit të vogël të Shqipërisë ku kemi diskutuar mbi hallet dhe problematikat të cilat po përjeton biznesi i vogël dhe i mesëm i Shqipërisë jo sot, jo dje por gjatë 6 viteve të qeverisjes së PS. Me keqardhje të madhe konstatojmë që hallet dhe problemet e tyre vazhdojnë gjithnjë e më shumë të rriten dita-ditës dhe takimi i sotëm ka ardhur pikërisht në vazhdën e takimeve e diskutimeve në teren që ne kemi pasur anë e mbanë Shqipërisë, ekipi i PD-së dhe i opozitës së bashkuar me bizneset e vogla dhe të mesme. Deri më sot kemi zhvilluar 58 takime anembanë Shqipërisë, në qytetet e Shqipërisë që nga Shkodra, Saranda, Durrësi, Tirana e kështu me radhë dhe hallet e problematikat e tyre janë nga më të ndryshmet. Në rastin më të mirë ato shprehen se janë përgjysmuar shitjet krahasuar jo me 6 vite më parë por krahasuar dhe me vitin e kaluar. Pra, biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri shet gjysmën e asaj që shiste një vit më parë”, deklaroi Teliti.

Veritas.com.al