Mbështetës të PD e LSI-së kanë dalë sot në protestë në Fier duke mbushur rrugët, para vendit ku kryeministri Edi Rama do të ketë takimin e radhës. Me pankarta në duar “Rama ik”, “Rama si Chavez” etj, si dhe me vuvuzela qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit. Forca të shumta policie janë në vend duke mbajtur situatën nën kontroll.

Kryetari i PD Fier Luan Baçi ka akuzuar policinë se po provokon protestuesit. Ai ka folur me megafon duke i kërkuar policisë të qëndrojë larg nga protestuesit dhe iu ka bërë thirrje mediave të pasqyrojnë të vërtetën. Sipas Baçit, ka policë të infiltruar mes protestuesve.

Gjatë protestës së dhunshme protestues kanë qëlluar mbi policinë me sende të forta. Një nga efektivët ka mbetur i plagosur rëndë në kokë nga një gur i hedhur prej protestuesve.

Nga ana e policisë është kërkuar prania e forcave speciale dhe bëhet gjithashtu thirrje që protestuesit të shpërndahen.

Kryeministri Rama ndodhet prej ditës së djeshme në Fier, ku ka zhvilluar disa takime në njësitë administrative të qarkut. Ndërsa sot ndodhet në qytetin e Fierit në kuadër të turit “Bashkia që duam”.

Veritas.com.al/