Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata ka reaguar sot në lidhje me arrestimet e fundit që ka bërë SPAK në luftë kundër korrupsionit.
Në një prononcim për mediet, para Gjykatës Penale, Gjata tha se “ne po i kërkojmë Prokurorisë, që është krijuar sipas reformës në drejtësi dhe që quhet SPAK, e cila duhet të shikojë më seriozisht dhe duhet të hyjë më thellë dhe shpresojmë që të hyjë më thellë, brenda Unazës së Tiranës, në institucionet më të rëndësishme administrative dhe politike që veprojnë në Tiranë”.
“Qëndrimi i thjeshtë i një kryetari bashkie për një kanal, apo disa prokurorë, apo të një zyrtareje së fundmi, ish-zv/ministre e cila është korruptuar, ka abuzuar në lidhje me emërimet në detyrë, sa i takon çështjeve që i keni parë edhe ju, 2 mijë euro, një arkë me peshk, një celular. SPAK-u për të gjithë këtë që u bë në drejtësi, nuk mund të justifikohet dhe të kapë një “peshk” i cili qenka korruptuar me peshk. Ne i inkurajojmë dhe nuk nuk jemi kundër tyre, na kuptoni drejt, ne duam të shkohet përtej kësaj. Ne duam të shkojmë tek ata që vetë faktori ndërkombëtar i ka quajtur “peshqit e mëdhenj”, tha ai.
Gjata tha se “nuk mund të rrish në nivelin e një kryetari bashkie apo zv/ministre që merrka 2 mijë euro dhe të thuash që kaq ka qenë korrupsioni në Shqipëri. Një tender uniformash, ku Ministri dhe Sekretari i Përgjithshëm nuk dinë gjë, një kanal dhe një marrje në punë në kushte korruptive duke marrë rryshfet për emërimet abuzive në detyrë”..
“E inkurajojmë dhe e përkrahim SPAK-un për çfarë ka bërë deri tani. Por po nuk eci më tej, asgjë nuk ka bërë sepse misioni i tij është shumë më i madh. Ai duhet të merret me inceneratorët që vazhdojnë marrin para nga buxheti i shtetit pa bërë asgjë, që janë bërë shumë kallëzime”, shtoi përfaqësuesi i PD-së.
Duke u ndalur te tenderi i Ministrisë së Brendshme, Gjata tha se “sekretari i Përgjithshëm i ministrisë nuk dika gjë. Po pse ka ngritur padi për shpifje ministri kundër PD-së dhe sot nuk di gjë. Kjo është e pabesueshme. Ne primare kemi luftën kundër korrupsionit, nuk ka rrugë tjetër”.