-Gjatë konferencës për shtyp të delegacionit ‘ad- hoc’  të Parlemantit Europian në Tiranë-

Delegacioni i Parlamentit Europian dhe kryesuesi i këtij delagacioni Tunne Kelam e ka shfaqur qartë qëndrimin për situatën politike në Shqipëri.

Në një konferencë për shtyp sot paradite, eurodeputeti Tunne Kelam tha se çelja e negociatave me BE është objektivi më i rëndësishëm por duhet konsensus kombëtar, duke kërkuar dialog dhe tejkalim të dallimeve partiake për këtë qëllim.

“Ne vijmë nga Komiteti i punëve të jashtme të PE. Jemi përfaqësues të 7 kombeve të BE. Kemi ardhur këtu së pari në atmosferën e shpresës. Kemi nevojë dhe jemi të interesuar që Shqipëria të çelë negociatat. Ky objektiv shumë i rëndësishëm dhe do jetë më i rëndësishmi deri sa ta kemi arritur. Të gjitha problemet siç e kemi parë dhe në raste të tjera mund të zgjidhen brenda BE, brenda, demokracisë, bashkëpunimit mes partive, mund të zgjidhen dhe të stabilizohen në kuadrin e BE-së. Është e rëndësishme të mos vonohen apo shkaktohen vonesa të tjera për këtë proces. Domethënë mos të ketë vonesa për shkak të mosmarrëveshjeve kombëtare. Jemi aq të interesuar t’ju mirëpresim në BE po aq sa jeni të interesuar ju shqiptarët”, deklaroi zyrtari i PE.

Ai tha se vendi ka bërë progres në shumë fusha, por se vëmendja është tek zbatimi i reformës në drejtësi dhe vettingut.

“Ju keni bërë progres domethënës, në shumë fusha. Sigurisht që mbeten gjëra për t’u bërë. Vëmendja jonë shkon së pari në reformën në drejtësi, në procesin e vettingut dhe të gjitha këto po shkojnë mirë. Por sipas eksperiencës i rëndësishëm është zbatimi. Për këtë zbatim dhe për të qenë të gatshëm ju për të filluar negociatat për anëtarësim nevojitet bashkëpunim i brendshëm. Është jetike. Sinjali më i keq që mund të japë Shqipëria është që ka ndasi politike dhe mungesë strategjish për këtë objektiv. Në të gjitha rastet kërkohet unitet politik. Konsensusi kombëtar është i rëndësishëm, duhen tejkaluar dallimet partiake. Edhe pse jemi përfaqësues të partive të ndryshme politike”, tha eurodeputeti.

Ai deklaroi më tej se “ne jemi të bashkuar në qasjen tonë se në qoftë se Shqipëria është demokraci dhe zgjedhjet janë mbajtur, janë të njohura e të pranuara është e rëndësishme të aderojmë në institucione demokratike”.

“Bojkotimi është një sinjal shumë i keq, cenon besueshmërinë e shtetit dhe të kombit”, theksoi Kelam.

Veritas.com.al/