Shqipëria është kthyer në destinacionin më të preferuar të italianëve për pushimet verore jashtë vendit të tyre. Lajmi është bërë i ditur nga një prej televizioneve më të mëdha në shtetin fqinj.

Televizioni La7 ka zbuluar destinacionet më të kërkuara nga italianët për verën e 2023-shit ku në vend të parë ndodhet një qytet shqiptar, Ksamili.

Sipas një klasifikimi nga Airbnb, mbi bazën e prenotimeve që janë kryer deri tani, për italianët do të jenë kryesisht pushime në det.

Këtë vit, janë 2 vende që dominojnë në renditje duke marrë pozicionet e para: Shqipëria dhe Spanja.

Shqipëria renditet në krye të klasifikimit të dhjetë destinacioneve më të kërkuara me qytete si Ksamili në vendin e parë, Saranda në vendin e tretë dhe Vlora në të katërtin. Ndërsa, Spanja ka në listë 4 prej tyre: Benidorm, Magaluf, Playa Blanca e Palma.

Sezoni turistik veror ka nisur me shifra të larta dhe parashikimet janë për një verë të mbarë. Duket se tashmë Shqipëria është futur në listën e preferencave të pushuesve evropianë duke rivalizuar denjësisht edhe me destinacionet më të rëndësishme turistike si Spanja, Greqia e Kroacia.