Takimi i zëvendësambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Demian Smith me kreun e selisë blu, Lulzim Basha, mesditën e 6 janarit ka përfunduar.
Sipas burimeve, vizita e zyrtarit amerikan në seli ka zgjatur rreth një orë dhe është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Smith ka hyrë nga dera anësore për në ambientet e brendshme të selisë.
Ky takim vjen pas zhvillimeve të ditës së sotme, ku perfaqesues nga Komisioni i ashtuqujatur i Rithemelimit, janë paraqitur për të zhvilluar mbledhje, por dyert kanë qenë të mbyllura.
“PD nuk ka qenë e mbyllur në 30 vjet dhe në kohë më të vështira, por tani është kthyer në një bunker”.
Ka qenë kjo deklarata për mediat e Aldo Bumçit, anëtar i Grupit të Komisionit i ashtuquajtur i Rithemelimit, nga oborri i selisë blu duke e cilësuar selinë blu një “bunker”.
Më tej, ai ka sqaruar se kanë zgjedhur t’i zhvillojnë mbledhjet e tyre në këtë godinë, pasi “kjo është shtëpia jonë”.
Gjithashtu dhe një grup përfaqësie e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), kanë pasur një komunikim për mediat duke e konsideruar mbylljen e selisë blu “një situatë të turpshme”.
“Lër karrigen, ose anëtarësia do të bëhet përmbaruese e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit për shkarkimin e Bashës”, ka thënë ish-kryetari.
Ultimatumi i 5 janarit
Ultimatumi përpara mbylljes së vitit 2021, ishte i qartë.
“Më 5 janar, Basha duhet të ketë lënë zyrën, ose anëtarësia e PD-së do të kthehet në përmbaruese të vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit”.
Me kaq, Komisioni i Rithemelimit i formuar nga Berisha, bëri paralajmërimin ndaj Bashës.
Vetë Basha, sapo mori vesh “kërcënimin” ndaj tij, doli në një konferencë për shtyp mbi çështjen.
Në një qasje shumë të qetë të tijën ndaj Berishës, Basha u artikulua qartësisht: Asgjë nuk ndodh më 5 janar.
Logo e re – vulë e re
Më 15 dhjetor, kryetari i Komisionit të ashtuquajtur të Rithemelimit në PD, Belind Këlliçi, i “zhbëri” vendimet e Lulzim Bashës, duke argumentuar se Kuvendi i 11 dhjetorit – i njohur si Kuvendi i Berishës – nëpërmjet një rifreskimi të logos dhe vulës së demokratëve ka bërë të mundur zhvlerësimin e vendimeve të Bashës.
As një muaj më vonë, Basha bëri një lëvizje në seli. Ai vendosi në dyer e xhama, logon historike të Partisë Demokratike.
E, në fakt, ky vendim erdhi në ditën e tretë të vitit të ri dhe vetëm dy ditë përpara ultimatumit që Berisha i ka vendosur kryedemokratit.