Nga: ASTRIT PATOZI
Më zbavit shumë dhe nuk më çudit aspak ky pazari i këtyre ditëve mes partive, që duan të garojnë nën të njëjtën sigël më 25 prill.
Sepse të gjithë po grinden dhe bëjnë presion për një apo më shumë vende në pjesën e sigurt të listës. Një palë në sulm dhe të tjerët në mbrojtje, duke tërhequr secili nga vetja, në llogoret e vjetra të kryetarokracisë.
Si për të treguar se asgjë nuk ka ndryshuar dhe gjithçka do të jetë si më parë me të njëjtat forca politike të stërkonsumuara nga keqpërdorimi i gjatë dhe pothuajse me të njëjtat personazhe, që luajnë të njëjtën tragjikomedi në çdo katër vjet.
Dhe pa asnjë merak se po e pranojnë botërisht që listat janë njësoj të mbyllura si në vitin 2008, kur u votua për herë të parë ky sistem i deformuar dhe i korruptuar politik.
Do të mjaftonte kjo shëmti morale, politike, madje dhe estetike, që Gjykata Kushtetuese ta merrte menjëherë vendimin për rrëzimin e Kodit Zgjedhor, të miratuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama në parlament, por me dakordësinë e plotë të Lulzim Bashës në distancë.
Natyrisht, unë nuk pres që kjo të ndodhë, sepse nuk jam naiv dhe nuk besoj tek mrekullitë, ndonëse detyrimin institucional ndaj publikut e kemi kryer, duke e depozituar kërkesën në Kushtetuese.
Por jam i sigurt se kjo do të shërbejë sadopak për të bindur edhe më skeptikët se ndryshimi nuk mund të vijë kurrë prej atyre, që po përpiqen dhe po luftojnë me çdo mjet dhe të mbajnë të paluajtshme statuskuonë.
Bindja Demokratike dhe çdo parti tjetër, që pranon dhe aplikon pa mëdyshje parimin e listës së hapur në zgjedhjet e 25 prillit, janë i vetmi shans që shqiptarët e lodhur nga kjo skllavopranorari politike me 3-4 sundimtarë, të cilët vendosin për gjithçka, ta gjejnë veten të përfaqësuar. Nuk është kushti i vetëm për të qenë i besueshëm dhe i pranueshëm, por është padyshim postoblloku i parë për t’u kualifikuar në raundin tjetër.
VERITAS.COM.AL