Nga: Anila Rezhda
Nëntori erdhi si çdo vit në orën dhe kohën e duhur. Ai më përkufizon në dalje, më mbështjell trupin me kuvertë të ngrohtë, më udhëzon të pi një liker Barbaroz të bërë me dashuri nga unë…pije që do më ndihmojnë të kapërcej gulçimet e malleve!
Shtëpia, edhe ajo ka ftohtë, do qilimat e saj të thurura me imagjinatë ngjyrash. Lulet filluan të dobësohen. Gatimet, të gjata në kohë, të ngrohta dhe shumica hahen me lugë. Atmosfera në shtëpi, secili do qoshen e tij/saj, sa më të rehatshme për netët e gjata që sapo na trokitën në derë.
Banjo e trupit më e shpejtë, më drithëruese, më kurnace në ujë të bollshëm dhe më përvëluese në gradë. Floku bije sikur mori lajm të zi. Fytyra përfiton një fëshfëritje si gazetë, do kremin e saj të yndyrshëm.
Kapakët e xhamtë të bibliotekës hapen dhe librat ngrenë kokën me ngazëllim se mos ndoshta iu erdhi radha të merren dhe hapen…. Ditari Personal bën tangërllik, i bindur se vetëm në fletët e tij tashmë do thurësh ëndrra të marra. Dashuritë, të dukshmet mërziten se humbasin shkëlqimin e rrezeve. Dashuritë, të fshehtat gëzohen se nata e gjatë është aleatja e tyre. Dashuritë, të përjetshmet gëzohen sepse intenerari i kthimit nga puna devijon përpara shtëpisë së Tij për takime “jo me dashje”!!
Dashuritë, e copëtuara nga zëniet, mëritë, nga vetë ndarja, hedhin vellon e pendesës…Nëntori është muaji i vetë-njohjes.
Mashkulli ëndërron të eci në udhët e flokëve të saj të tendosura mbi jastëk duke shpresuar të vjedhë puthje pa e zgjuar… Meshkujt, adresohen më shumë lokaleve me pije sepse gratë kanë impenjime me leximet e fëmijëve tashmë, shkollat u hapën. Meshkujt, bisedojnë gjatë për shpenzimet e shtuara marrëzisht që Nëntori ka në kontrast me bukurinë e tij. Meshkujt, ecin me hapa të përtuar drejt shtëpisë pasi Sonata Grindëse e gruas është e njohur këtu e vite. Meshkujt, në kërkim të një varke “shpëtimi” nga rutina si gjithmonë. Është ende Nëntor, sapo të fillojë i ftohti do rendin dëshirueshëm në shtëpi për të ndjerë avujt e dashurive që të ofron ç’do moshë.
Moshat e treta dhe të vërteta, të lumtura. Orët e tyre të shumta do kalojnë tashmë me njerëz në shtëpi dhe zëra nipërish e mbesash. Do kenë mundësi të japin më shumë këshilla për të cilat u digjet xhani, por përmbahen.
Politikanët do dalin më shpesh në TV duke u premtuar rritje pensionesh. Mjekët e tyre do i gjejnë më shpesh klinikave dhe do ndjejnë siguri që tashmë ata do u përgjigjen menjëherë simptomave të pafund të trupit. Gjumë do i zërë më ëmbël nga zërat familjarë dhe lumturia që Nuk kanë përfunduar si shoqja e tyre në Azile Pleqsh!!
Të sëmurët, keq në Verë, keq në Vjeshtë…por horizont nate nga dritare spitali në Nëntor Nuk kapërcehet lehtë. Dhimbjet u shumëfishohen jo realisht nga sëmundja por nga komponenti psikologjik, bije në gjumë gëzimi Veror dhe vendin e merr dëshpërimi Vjeshtor. Çdo gjetheje Nëntori që bije u luten që të marrë fund peripecia shëndetësore, dhimbjet, mungesa nga jeta, puna, familja…dhe një fund edhe për shpenzimet e marra pasi sot Fryma e Kuruar blihet me flori!!! Ti në spital, fëmija detyrohet të mos ndjekë universitetin nga pamundësia!!…erdhi infermierja që t’i bëjë një qetësuese…
Ushqimet, nga Nëntori në Nëntor akoma më të pakta. Sigurova 3 teneqe me vaj që i bleva me rrogën e 1 muaji!!!…mos ndoshta populli ka të drejtë që thotë :”hoqi të zitë e Ullirit i shkreti”- po i heqim. Kam dy rrënjë ulliri te zyrat 5 kokrra më prodhuan!!! me aq hyzmet që u bëra?!!
Si kurrë herë miell blemë aq sa për të stukuar muret e shtëpisë, duhet, kek, bukë, byrek, petulla, kulaçe, të gjitha duhen gatuar në shtëpi. Mjalti dhe arrat, frutat e thata shumë të domosdoshme thotë Sokrati i shquar për përgatitjen e trupit përpara të ftohtit por…hajde bliji. Mund të shesësh një pikturë, por kush e blen sot? Nervozizmi i mbylljes do shumë ëmbëlsira të sherbetuara, dieta, ka kohë, Maji është larg! Vendin e nderit në Nëntor e merr Kafeja me kupa, çaji me 10 produkte, vera e kuqe, frutat e kuqe që të mbrojnë nga i ftohti, gështenjat e mija të shtrenjta!! që përcëllohen në oxhak, trahanaja me piperkë të kuqe përcëlluar në vaj, fasulet…ishalla më bije loto se 9 euro kg!!
Lus korçarët e mi 5 kg fasule dhuratë -po ma lexuan shkrimin.
Gjumi i ëmbël, i pari në llojin e tij për sezon Dimëror fillon në Nëntor. Ata që shkruajnë si unë…u bëjnë dhuratë familjarëve dhe shokëve Heshtjen e dëshiruar pasi, squp, nuk flasin e grinden fare, shkrihen me orë mbi tastiera për ideale të bukura jete që as ata vetë Nuk i shijuan kurrë!!
Trupi fillon të kruhet nga nervat edhe ai sepse, vish e vish, të ngrohta, të leshta, nuk merr ajër i ziu. Shoqëritë e vërteta hapin krahët në fluturime të largëta si zogjtë pasi, ku përveç familjes që ti ëndërron të kishe- shoqërisë- do gjesh ngushëllime e gëzime?!
Piktorët bëhen të famshëm për 1 muaj pasi Nëntori u dikton ngjyrat. Muzikantët kompozojnë më me nostalgji se kurrë. Artistët kthehen skenave që unë ngordha pa i shijuar!!
Nëntor…muaj të Mbarë sa yjet iu uroj! Le të mos i llogarisim vështirësitë që hodha si kripë por me karar në shkrim…përderisa më rrëmbeu kohë e më bëri të ulem të shkruaj…i Bukur do jetë, i Rrallë do jetë, i Mbarë do jetë për të gjithë ne! Me❤ për Ju, NilaR