Shkaktari i aksidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u përfshi në një aksident rrugor makina e Gardës e cila eskortonte familjen e kryetares së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Irena Gjoka, është një polic në Policinë Rrugore që po drejtonte mjetin me targa zvicerane.

Raportohet se tashmë janë kërkuar kamerat për të parë çfarë rregullash ka shkelur shkaktari i aksidentit, mbasi njëri nga gardistët e Republikës ka thënë “që udhëtoi mbas nesh që në Rinas e deri në Selitë”, ku ndodhi aksidenti.

Në Rinas, Garda e Republikës, thuhet nga Policia Kufitare se priti djalin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila prej ditësh është nën ruajtje dhe mbrojtje.

Fillimisht Policia Rrugore e Tiranës, në mënyrë të paprecedentë, ka raportuar se nuk kishte anëtarë të familjes së gjyqtares në makinën që po eskortohej nga Garda e Republikës. Por kjo përpjekje për ta fshehur ngjarjen ka zgjatur vetëm 30 minuta, pasi Garda ka treguar itenerarin dhe kë po eskortonte.

Megjithëse mekanizmi është i dukshëm që është aksident automobilistik, është angazhuar edhe SHISH për informacione më të thelluara, bëjnë me dije burime shumë të sigurta të Anila Hoxhës.

Garda e Republikës bëri me dije, thotë Anila Hoxha, se i ka kërkuar tre herë personit të aksidentit që të distancohej dhe të mos hynte më eskortim, por shtetasi me detyrë polic rrugor nuk është bindur.

Në dëshminë e dhënë, polici është shprehur se teksa po drejtonte makinën humbi kontrollin për shkak të shiut, duke ia lënë fajin “rrugës”. (TCH)