Moti i keq që ka përfshirë Shqipërinë ka shkaktuar problemet e para.
Autoriteti Portual i Vlorës, me anë të një postimi në median sociale “Facebook”, ka njoftuar se, për shkak të dallgëzimit në det do të jetë i ndaluar lundrimi për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit.
Sa i përket lundrimit të tragetit të linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë nuk do të ketë pezullime.
Gjithashtu është bërë me dije se pritet përmirësimi i situatës meteorologjike në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit mbas datës 28 dhjetor.
Më herët, Instituti i Gjeoshkencave ka njoftuar se priten reshje shiu intensive, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri dhe jug të territorit.
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, veçanërisht në bregdet.
Sipas tij, përgjatë datave 27 deri më 29 dhjetor 2021 pritet një rritje e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Buna, si dhe në Liqenin e Shkodrës.