Frrok Çupi/
Ishte dukur sikur “Gjermania ra” në gropën e tre kryeministrave ballkanikë që po ziheshin kush e kush të ishte më afër zonjës Merkel. Ndoshta edhe kishte rënë; por Gjermania u zgjua nga modeli amerikan. U zgjua duke mos u mashtruar nga vogëlsirat. Kështu ndodhi me Amerikën. Amerika thërriti “forgotten people” (O njerëz të harruar!” dhe i gjeti njerëzit e vet.
Ja kështu më duket se po ndodh me Gjermaninë dhe kancelarin e saj. Katër “çunat” e Ballkanit Perëndimor nxituan kush e kush t’i hynte sa më në gji zonjës Merkel, dhe ajo u ndje mirë; u ndie mirë si nënë dhe si grua. (Këto ditë mediat e botës po e thërrasin “nëna e Gjermanisë”). Si nënë e katër çunave të Ballkanit, Merkel nisi të zgjedhë cili ishte ai “që po hante përshesh” dhe cili ishte ai që shikonte vëngër. Refleksi i saj prej shoqërie komuniste ku ishte rritur, i dha edhe një shqisë të gjashtë: Të nuhaste cili ishte cili. Por këta të katër u sulën si te nëna që sapo ka ardhur nga dyqani.
Siç edhe të katër dështuan, më në fund.
Dështoi i pari ky i Malit të Zi. Milo- kryeministër, ish basketbollist, si dy shokët basketbollistë, por edhe i gjatë sa dy “binjakët” e tjerë në jug e në veri të Montenegros, u ndie i kërcënuar me armë. I telefonoi “nënës” në Gjermani se “po më vret Putin”, por ajo nuk ia zgjati. Ajo e njihte zotin Putin para Milos, që në kohën e “Stassit” në Gjermaninë komuniste. Atëherë Milo (që ishte destinuar të vritej) vendosi të vrasë veten. Dorëheqja, për Milon, aq i korruptuar, do të thotë vetëvrasje, dhe ai në fakt dha dorëheqjen.
I dyti u përpoq të mos dështojë kurrë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e shpalli veten si favoritin e Merkel. Madje hapi fjalë për një lidhje të nxehtë; dhe njerëzit e morën seriozisht. “Ky që ka kaluar katër a pesë gra- thanë- ç’të keqe ka një lidhje me një më të moshuar, por me post?!”. Kjo nuk i mjaftoi kryeministrit Rama për t’i dëshmuar lidhje zemre me kancelaren gjermane. I hyri një aventure tjetër të nxehtë, nacionaliste. Rama- grekofolës dhe i ashtuquajtur “vorio- epiriot”,- iu sul Greqisë, derisa e kërcënoi se do t’i shembte Akropolisin e Athinës. Ky kishte në zemër Merkelin si prapavijë në luftën kundër Greqisë. Mendoi se në këtë rrugë i bënte nder zonjës kancelare që “nuk do me e pa me sy Greqinë!”, dhe i lëshonte “brezin” rivalit të Merkelit, Erdogan.
Por nuk mori përgjigje; kjo e shqetësoi! Më parë kishte provokuar kryeministrin e Serbisë- edhe ky një basketbollist- kur i tha në sy: “Hë!, Si thua, fiton Merkel apo Trump?”. Vuçiç, tamam si një Buldog, e shikonte me një sy kryeministrin shqiptar, ndërsa me syrin tjetër “i bënte me sy” Merkelit. Merkeli, diku nga fundi, mes dy basketbollistëve, zgjodhi serbin. Vuçiç shkonte dy herë në javë në Berlin “për të mësuar gjermanisht”. Rama i Shqipërisë nuk e arriti këtë status, prandaj bëri një kthesë drejt Jugut.
Ndërsa Denis Zvizdić i Bosnjes, thuajse po kaq i gjatë sa tre të parët, mbajti qëndrim të përmbajtur. E vetmja gjë që i bashkonte: Edhe ai kishte jetuar në hijen e Sorros si drejtor i një projekti komunist me titull “Plani i Veprimit kombëtar për Mbrojtjen e Ambientit”. Por nuk doli në skenën e “estradës” së tre çunave të tjerë të Ballkanit.
… Në këtë gropë ballkanike kishte rënë Gjermania. Jo vetë Gjermania, por të paktën kancelarja Merkel. Kancelarja e kishte gjetur këtë gadishull ku jetojnë katër çuna të gjatë, si botën ekzotike; dhe nuk pyeti më shumë.
Do të ishte fundosur më tepër gropa ballkanike, sikur në Amerikë të mos ndodhte revolucioni “Trump”. Ky revolucion u emërtua me titullin: “Dry the Swamp!” (Të thajmë moçalin). Moçali ka një lidhje edhe me gropën ballkanike. Por në Gjermani fryma e tharjes së moçalit erdhi fuqishëm. E para ishte vetë Angela Merkel që e ndjeu.
Merkel e Gjermanisë, ditën e parë tha se “fitorja e Trump ishte një shock”. Opozita gjermane i tha: “Tërhiqe atë fjalë!”. Ministri i Financave dhe rival në CDU, Schäuble, bëri thirrje “Ikëm, po na merr”… stuhia Trump! Vetë Merkel që ndodhej në mëdyshje, deklaroi se “do të kandidoj… ” për mandatin e katërt. Në atë moment, tek po gëzoheshin “çunat” e Ballkanit, kjo nxori kartën e seriozitetit gjerman. Qeverisë së Shqipërisë i tha se nuk ka vend në Europë. “Shko pastro drogën dhe krimin!…”, i tha dje.
Ku do të shkonte Merkel në Gjermani me drogën shqiptare? Aq më pak të zgjidhet përsëri. Të paktën erdhi në realitet.
Edhe me “liberalët” e tjerë evropianë që shpresuan se me Merkel mund të jetojnë në “swamp”, po tregon modelin “Trump”. Popujt europianë po kërkojnë ndryshim dhe “ujëra të pastra”. Trump fitoi duke mos pasur Partinë me vete. Merkel nuk mund të fitojë me barra të vdekura prej Ballkanit dhe prej pjesës së sëmurë të Europës.
Ka nisur të bëhet serioze. Me siguri, në këtë rrugë mund të fitojë Merkel, nën udhëheqjen serioze të Trump.
/Veritas.com.al/