E vërteta është se virusi i COVID-19 kurrë nuk është larguar nga qarkullimi, por me aq pak raste sa shënjoheshin në Shqipëri prej kohësh, ai thuajse ishte harruar.
Fillimi i korrikut shënjoi edhe rikthimin e vdekjeve nga coronavirusi në vend, përtej rritjes së virulencës, kryesisht në kryeqytet, por edhe më gjerë.
Nga 5 mijë e 644 raste aktive në gjithë Shqipërinë, 3 mijë e 509, janë vetëm në Tiranë, me Fierin, Durrësin, Vlorën e Shkodrën, që e pasojnë me shumë më pak raste aktive.
Por, çfarë po ndodh realisht me virusin?
Që prej fillimit të pranverës, në muajin mars, Shqipëria, së bashku me Kosovën, ka qenë kampione rajonale për rastet më të pakta të COVID-19.
Ky skenar ndryshoi tërësisht me ardhjen e Korrikut, kur në Shqipëri filluan të rriteshin rastet dhe shpejt vendi, në raport me popullsinë, zuri vendin e dytë pas Malit të Zi për virulencën më të lartë.
Rritja e pritshme e rasteve, duke iu referuar edhe vitit të shkuar, pritej të niste rreth mesit të gushtit e të kulmonte pastaj në vjeshtë e dimër.
Aktualisht, për 1 milion banorë, mesatarisht në Shqipëri, në një ditë, diagnostikohen 194 raste të reja me COVID-19. Një shifër e tillë vitin e shkuar, u arrit vetëm në javën e fundit të muajit gusht.
Ndaj, situata është shqetësuese dhe mund të kërkojë masa të ndërmarra, duke qenë se ato janë të hequra plotësisht prej muajsh.
Pse kjo valë kaq e hershme?
Një prej apeleve kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është ai i marrjes së dozave të treta e të katërta të vaksinave (të katërtat për moshat më të thyera).
Në realitet, kjo tregon se efekti i vaksinimit të shkuar me dy doza, ka përfunduar për pjesën më të madhe të popullatës dhe ata tashmë janë të pambrojtur ndaj virusit.
Sipas ekspertëve të fushës, pjesa më e madhe e vaksinave ofron mbrojtje jo më të gjerë se sa një vit prej marrjes së dozës së dytë. Ndaj, doza e tretë, e njohur si “booster”, mund të ndikojë në uljen e virulencës.
Një tjetër aspekt që e shtyn më tutje rritjen e rasteve në Shqipëri, është edhe fakti se një pjesë e madhe e popullatës, është vaksinuar me doza nga kompania kineze Sinovac dhe duke qenë se kjo e fundit njihet si “vaksinë tradicionale”, pra që vepron nëpërmjet vetë virusit dhe jo me ARN si Pfizer/BioNTech apo Moderna, efektin e ka jo më të gjatë se gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Pra, në këtë skenar, efekti i vaksinimit ka përfunduar prej kohësh për ata, të cilët nuk kanë marrë dozë të tretë.
Më pas, hapja tërësore e kufijve dhe një sezon COVID-free ka ndikimet e veta, duke qenë se qindra mijëra turistë lëvizin gjatë verës nga veriu në jug dhe virusi ka mundësi më të madhe përhapjeje.
Ja vlen të shqetësohemi nga një valë e radhës së COVID-19?
Sipas ekspertëve më të mirë botërorë në infektologji, po dhe jo.
Është e vërtetë se numri i rasteve mund të rritet ndjeshëm, sikundër edhe ai i vdekjeve.
Mirëpo, pjesa më e madhe e popullatës, e kanë kaluar tashmë një herë virusin dhe rrezikshmëria për fatalitet është më e ulët, duke qenë se vetë trupi krijon antigjene.
Fashat më të rrezikuara gjithsesi, duhet të tregojnë kujdes të shtuar menjëherë me shtimin e rasteve.
Pikërisht të moshuarit apo personat, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike, janë ata të cilët cenohen më shumë nga virusi.