Frrok Çupi/

Duket se krerët e shtetit janë ulur në tavolinën e lojës dhe nën mëngë mbajnë secili kriminelin e vet. “Më jep kriminelin “Iks” të të jap “të Kuqin”…  Ky është thelbi i asaj që po ndodh. Kryetari i Kuvendit ftoi në tavolinë Presidentin e Republikës si dëshmitar se ka hedhur letrën për  “kriminelin e kryeministrit”. Presidenti e pranoi rolin. Mu duk se kryetari i Kuvendit i tha aleatit: “Gjeje në cilën mëngë e kam Balilin”. Aleati kryeministër, në atë çast, mori avionin dhe u largua nga atdheu si “me pushime”.

New York-u në vitet ’30 kishte pesë familje që luanin në tavolina me “krimin nën mëngë”; ishin: Bonanno, Colombo, Gambino, Genovese, dhe Lucchese; secila kishte kriminelët e vet që ishin edhe të tjetrit…

Ju mendoni se kryetari nuk e di ku i ka të vetët?… Ose kryeministri nuk i di?… Jemi në stinën kur duhen mbledhur dhe shkëmbyer kriminelët; zgjedhjet parlamentare për “jetë a vdekje” po vijnë. Këtë vit janë më të vështira se kurrë; fitohen o me kriminelë o me viktimizim kriminelësh- ndryshe jo.

Ka një koincidencë si biblike se si sot në ditën  viktimave të Holokaustit, pikërisht sot shkëmbimi i kriminelëve në Tiranë arriti kulmin: Kulmi është  mbledhja e  Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga Presidenti i shtetit….  Atëherë, në Holokaust,  u përmend shumë shpesh nocioni  “shkëmbimi”, por më shumë “shkëmbimi i robërve”. Në fakt janë njësoj, edhe kriminelët kur përdoren nga krerët politik kthehen në robër.

Edhe sot, në ngjashmëri me pikat kulmore të shkëmbimit, jemi po aty. Pikat kulmore të shkëmbimit të kriminelëve (ose të themi “robër”), arrihen kur mbaron stina e përdorimit. Në rastin tonë kur po mbaron stina e pushtetit; kriminelët o duhen përdorur për zgjedhjet e tjera, o duhen flakur.

Ndodhin psikoza të llahtarshme në këto momente:

1.

Psikoza kur kriminelët e shikojnë veten për herë të parë viktima.

Ata janë ndjerë gjithmonë xhelatë, por tani janë nën mëngën e dikujt. Po të bëjnë zë- kapen; po të rrinë fshehurazi- shiten; po të kërkojë favore- lirohen dhe rrezikohen si Lul Berisha.  Të gjithë këta, gjatë kohës që nuk iu vlen gjë lëkura, ndjehen zot. Trafikojnë qindra tonë drogë,  vrasin shtatë a tetë vetë; vijnë poshtë shtëpisë së të madhit dhe ndajnë paratë; bëjnë plazhin ku të duan; kthehen prapë në aksion; gjobisin bizneset dhe mbajnë para me thasë; blejnë dhjetëra apartamente- por një ditë nuk i kanë të tyret… Asnjëherë nuk kuptojnë se nuk janë këta që sundojnë. Ditën e fundit kur bëhet “pazari” nuk dihet fati i asnjërit. Këta presin si në pazarin e Milotit- cili e ka radhën për “t’u therur”. Klement Balili është shpallur trafikant drogë; por deri dje ishte nëpunës i lartë i pushtetit vendor në Sarandë. Kur shkonte kryetari -e vinte në krah se është “i imi”. Kur shkonte deputeti- bej, edhe për këtë Balili kishte krahun tjetër. Kur shkonte kryeministri, sigurisht linte kokën… Po tani?  Klement Balili është bërë për ta marrë në mbrojtje edhe fukarenjtë e maleve. “Gjynah i shkreti, po e shesin për hiçgjë miqtë e tij në Tiranë!”.

Rivaliteti në pushtet shpërblehet me viktima.

Ramë dakord që kriminelët në mëngë të krerëve shtetërorë, t’i quajmë  “viktima”. Këta nevojiten si leva për pushtetin: leva o e mban makinën në rrugë; o përdoret për të vrarë rivalin. Në rastin tonë pronarët më të përfolur për kriminelë janë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit. Por në këtë moment janë edhe në pikën më të nxehtë të rivalitetit. Deri tani ishin në koalicion, por koalicioni nuk reziston sikur të mos “shuhen” kriminelët.

Sapo kryetari i Kuvendit shiti sot një nga të tijtë, ministri i kryeministrit iu sul nga larg “pse po e shiste”. Ndoshta është momenti që ministrit i duhet Balili dhe nuk do që ai të dorëzohet…

Zgjedhjet që po vijnë janë shumë të vështira. Ndryshimet në Botë, sidomos me fitoren e presidentit Trump, Brexit dhe rënien e elitave liberale, këta nuk kanë ku qëndrojnë. Por edhe sikur të shfrytëzojnë dhunën mbi popullin, duhet të bëhen të besueshëm duke shitur “viktimat”. Atëherë “qe baba duart!”. Kjo ka ndodhur në gjithë pushtetet autokratike. Diku nga fundi i diktaturës komuniste, Mehmeti i vrau bashkëpunëtorët Enverit. Kur Enveri mbeti pa Beqirin and Co., u kujtua të sharronte ata të Mehmetit…

Në thelb nuk po ndodh ndonjë gjë e re me shkëmbimin e kriminelëve tani.

Krerët e shtetit ndjehen “të mbytur” prandaj shkarkojnë barrët për të dalë mbi ujë. Shkarkojnë viktimat në det. Klement Balili, (të vjen edhe keq) është më i përdoruri  në këtë mes. Para kësaj here, Klementi u përdor nga qeveria, jo nga Kuvendi. Në fillim të Dhjetorit, Shqipërinë e vizitoi Drejtori i CIA, Jamees Brennan, dhe kjo do të ngrinte shumë dyshime. Atëherë  qeveria tha se “ishte një çështje e rëndësishme” për kapjen e Klement Balilit. Kot! Edhe atëherë u pëdor Presidenti i republikës. Shpatullat e Klementit mbanin një barrë aq të madhe saqë mund të ishte një komplot i qeverisë shqiptare kundër presidentit të sapo zgjedhur Trump. Qeverisa shqiptare është e instaluar si kundërshtare e Trump. Por edhe Brennan i CIA, një eksponent i njohur kundër Trump.. Çfarë mund të kishte në ato takime që lidheshin me Balilin?!…

Edhe kësaj here, nga kryetari , Balili po përdoret “në favor të Amerikës”. Nga ana e kryetarit të Kuvendit u deklarua se “kur isha në Amerikë për Inaugurim, më urdhëruan amerikanët të kapim Balilin”. Ç’marrëzi! Edhe sikur…. që nuk ndodh kurrë!… Amerika kishte ende administratën e Obamës. Po kush urdhëroi që të kapet Balili? “Madonna” në protestën anti- Trump?!…  Varka merr ujë në detin e fajtorëve.

Shikoni si përdorin viktimën për të dalë mbi ujëra:  Bëhen si misionarë të Amerikës.

Po të jetë nevoja për rivalitet, edhe Amerikën e bëjnë viktimë; siç bëri kryeministri më parë.

/Veritas.com.al/