Covid-19, krahas shumë problemeve që shkaktoi në popullatën botërore, zgjoi më herët edhe sëmundjet autoimune. Pas pandemisë, mjekët po konstatojnë një dyfishim të rasteve kur sistemi imunitar lufton qelizat dhe organet e veta.
“Kjo e lidhur për efektin dhe impaktin që pati vetë virusi Covid-19 te pjesa e sistemit imun, por edhe te pjesa e kohëzgjatjes së simptomave të Covid, që çuan në shfaqjen e një problemi ekzistues, por që nuk dihej. Raportohen shifra gati në disa raste të frikshme, për sa i përket incidencës të sëmundjeve autoimune”, thotë për A2 CNN mjeku reumatolog Ervin Rrapushi. “Nga 0,5-1%, vende si Italia e jugut apo Sllovenia raportojnë se ka shkuar deri në 2,5-3,2%”.
Mjeku thotë se artriti reumatoid është më i përhapuri në popullatën tonë dhe po shfaqet edhe në moshat e reja. Sëmundjet autoimune prekin shumë organe, ndaj trajtimi i tyre në kohë është mjaft i nevojshëm për të shmangur dëmtimet apo invaliditetin. Sipas mjekëve, studimet e fundit të shkencës dhe skemat e reja të mjekimit synojnë kurimin e plotë të sëmundjeve me origjinë autoimune.
Komente