Frrok Çupi/

Ora e mesnatës është afër, por nga aeroporti i Rinasit nuk ka asnjë informacion se ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i vënë në hetim për pjesëmarrje në banda që shpërndajnë ‘vdekje’ në Euopë, qenka kthyer në atdhe. Saimir Tahiri, edhe pse i ndaluar që të udhëtojë jashtë vendit, pardje ka lënë aeroportin e Rinasit drejt Gjermanisë. Media ka caktuar afatin e kthimit sonte në mesnatë, por në fakt askush nuk mund të thotë se ai duhej të lëvizte nga shtëpia ku po hetohej. Ish- ministri ndodhej në kushtet e një krimineli, si të thuash në kushtet e Toto Riinës në vitin 1992- një vit para se të burgosej 26 herë me burgim të përjetshëm.

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur me 25 tetor 2017, ‘dhënien e autorizimit për ndalimin që Saimir Tahiri të dalë jashtë vendit’ . Por media shkroi ditën që u arratis se ‘ka leje për t’u kthyer deri të shtunën’ në mesnatë, dmth., sonte.

Sikur edhe për një orë, kur bie kambana e mesnatës, Saimir Tahiri të mos ulet në Rinas, atëherë çfarë do të ndodhë?

1.

Do të bëhet një shtesë në listën e të arratisurve të mëdhenj. Saimir Tahiri, nga një njeri krejt pa vlerë, do të renditet në radhën e kriminelit ‘Maze Prisons’, dmth., të të arratisurve të gjirizit, që ka ndodhur në Britani dhe që shënohet si arratisja më e madhe në historinë e Britanisë. 38 të burgosur Irlandez, luftëtarë të IRA, u arratisen nga burgu në 25 shtator 1983… Edhe Tahiri ishte një i burgosur ‘i lirë’, për pak ditë do t’i viheshin prangat. Koha mes lirisë së sajuar dhe prangave shërbeu që bota të merrte vesh se një ministër i një shteti buzë Adriatikut ishte vënë në shërbim të bandave kriminale mes Europës dhe Lindjes, në Adriatik. Arratisja e tij do tua kalonte edhe ngjarjeve më të spikatura me gangsterë që dalin nga burgu. Ky është një gangster ministër dhe deputet, bota do të kthente sytë nga Shqipëria.

2.

Do të kuptohej se Kuvendi i një vendi demokratik është më pak se Policia dhe se rojet e aeroportit, sikur të mos kthehet. Kuvendi ka lejuar policinë e shtetit, pas kërkesës së prokurorisë, që ish- ministri Saimir Tahiri “të mos largohet nga vendi”, sepse është i vënë nën hetim për një pjesëmarrje mafioze mes Lindjes dhe Perëndimit të Europës. Por rojet e lanë ministrin të ikte. Kuvendi ra. Çfarë do të ndodhë me qeverinë në një republikë parlamentare pas rënies së Parlamentit?

3.

Cilat do të jenë marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë pasi të kërkohet kthimi i ministrit Tahiri të vënë nën akuzë? Mediat kanë shkruar se Tahiri është nisur drejt Gjermanisë. Ambasadorja gjermane në Tiranë nuk ka kundërshtuar. Në qoftë se Tahiri nuk kthehet sonte, do të thotë se nesër duhet të nisin notat diplomatike të Shqipërisë ndaj Gjermanisë ku të kërkohet ndalimi dhe kthimi i Tahirit. Nëse Gjermania nuk e dorëzon, atëherë kjo hap një çështje edhe me aleatët e tjerë perëndimorë. Mund të krijohet një konflikt i madh mes Italisë dhe Gjermanisë. Italia e ka kapur bandën e Tahirit, ndërsa Gjermania ‘fsheh’ një nga kapot- Tahirin.  Këtu qëndron konflikti. Ndërsa vetë Gjermania ndodhet në kushte politike që fshehja e një banditi ministër nga Lindja i kushton shumë. Gjermania nuk po ndërton dot qeveri për vete; tani i duhet edhe Tahiri.

4.

Nëse nuk kthehet sonte, atëherë çështja shtrohet: Po nesër çfarë do të bëjë Tahiri në botë? Do të udhëtojë për në ‘botën e tretë’ ku do të bëjë operacione plastike dhe të zhdukë gjurmët? Apo do të nisë të flasë? Për cilët do të flasë dhe  kallzojë? Për shokët në qeveri?… Me siguri për këta. Po kush, vallë, është i interesuar të dëgjojë kallëzimet e ministrit për qeverinë e tij? Tahiri, me siguri ka lidhur fije…

Fakti që qeveria nuk po thotë asnjë fjalë për arratisjen e Tahirit, do të thotë se ka një paqartësi ose edhe frikë. Por nëse Tahiri është marrë peng nga aleatët, atëherë këtu mund të ndodhin ndryshime të mëdha…  Në qoftë se është marrë peng nga piratët, atëherë këtu mund të sëmuret më tej situata.

Veritas.com.al/