Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të mërkurë ka udhëtuar drejt Dibrës në kuadër të aksionit politik të miratuar më 18 dhjetor nga Kuvendi Kombëtar.
“Ata janë njerëz që kanë sakrifikuar dhe janë të zhgënjyer me ne. Por ne duhet të punojmë me ta, t’i bindim e të bëhemi bashkë”, tha Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Ndërkohë, një nga çështjet që do të jetë në qendër të agjendës politike të Bashës është Aleanca Qytetare për Demokracinë, tashmë e miratuar nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit si një organizatë partnere e PD, nëpërmjet të cilës synohet hapja e mëtejshme e PD dhe afrimin me grupe të ndryshme shoqërore.
Këto takime intensive vijnë edhe në një kohë kur Sali Berisha i ka lënë afat Lulzim Bashës deri në 5 janar që të lirojë zyrat.
Situata në Partinë Demokratike është kaotike, me demokratët të cilët janë të ndarë në dy kampe të cilat nuk njohin njëra-tjetrën, parti me dy statute dhe një pjesë e mirë e demokratëve të shkarkuar nga funksionet e tyre.
U duk se dhjetori do t’i jepte fund përplasjeve me 2 Kuvendet e mbajtura, po duket se edhe në muajin janar selia blu do të jetë epiqendër e zhvillimeve politike.