Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka dhënë një mesazh për kreun e ri të SPAK që të luftojë korrupsionin e krimin pa u frikësuar dhe pa u ndikuar nga favoret. Në një postim në Twitter, Kim shkruan se drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit dhe institucionet duhet të jenë të pavarura.
Po ashtu shkruan se SHBA mbështet reformën në drejtësi ndaj do të monitorojnë nga afër procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK që do të mbahet më 16 dhjetor. Kim thekson se nuk do të ndryshojë zbatimi i reformës në drejtësi, që sipas saj nuk është vetëm kërkesë për anëtarësimin në BE por kërkesa e drejtë e popullit shqiptar.
“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, i cili pa frikë e favor do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.
Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.
Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, shkroi Kim në Twitter.
Kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zgjidhet më 16 dhjetor dhe tre prokurorët që kandidojnë janë Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Kreu i ri i SPAK zgjidhet në një moment kur jo vetëm ndërkombëtarët por edhe publiku kërkon rezultate, arrestime të zyrtarëve të lartë të implikuar në korrupsion dhe anëtarë të bandave të krimit të organizuar.