Deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi i lëpihet kryetarit Idrizi. Herë e quan “më të mirin” e herë “pak dembel”- si ta kërkonte si ‘shumë dembel’. Por media e ka marrë këtë informacion si krisje në PDIU.

Qifja ka analizuar humbjen e PDIU-së në zgjedhje. Sipas Rakipit, përgjegjësia për humbjen e mandatit të kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi në Tiranë është përgjegjësi e vetë Idrizit, i cili sipas tij është dembel. Rakipi në një intervistë për gazetën Panorama, ka thënë se Idrizi duhet të japë dorëheqjen për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Për mos hyrjen e Shpëtim Idrizit në Parlament, nuk bëj përgjegjës njerëzit se sa vetë kryetarin. Arsyet e humbjes duhet t’i kërkojë te vetja. Në fushatë po nuk dole t’i takosh njerëzit kudo që të jenë, po nuk shkove t’i respektosh në komunitetet e tyre, në shtëpi, në biznese, njerëzit nuk të mbështesin, sepse ata nuk të shohin më si kryetar partie, por të vlerësojnë nga marrëdhënia njerëzore direkte që ti krijon. Nuk ka më bastione, sidomos me partitë e vogla.

Pse nuk na ka votuar komuniteti çam në Tiranë? Ne këtë duhet të analizojmë. Si politikan Shpëtim Idrizin, unë do ta klasifikoja si 10 më të mirët e Parlamentit. Është pak dembel dhe kjo na ka dëmtuar pak. Kështu nuk ecet më tutje. Kryetari duhet të jetë më i drejtpërdrejtë, më i komunikueshëm me njerëzit. Do të diskutojmë brenda partisë se si do të zgjidhet ky ngërç. Për shkak të rezultatit, edhe kryetari mund të japë dorëheqje”, tha ndër të tjera Rakipi.

Vritas.com.al/