“Shqipëria e 2030-s do t’i ketë ato që i pret qysh prej 1912-s dhe opozita nuk na ndalon”. Ky ka qenë premtimi i kryeministrit Rama në seancën e sotme plenare, teksa ka folur për akuzat e opozitës për Portin e Durrës. Në Kuvend po diskutohet marrëveshja për Portin, me kohë të palimituar, e miratuar si kërkesë e opozitës pas rreth 1 orë pati debate të ashpra për minutat që i ishin caktuar deputetëve të Rithemelimit.

Në nisje të debatit, kryeministri Edi Rama e cilësoi si historik projektin e portit të Durrësit duke thënë se pret me padurim që të votohet për investimin më të madh të huaj në vend. Nuk mungoi ironia ndaj opozitës për të cilët tha se ‘esatë’ janë ende mes nesh.

Në fund të fjalës së tij më shumë se 54 minuta në Kuvend për çështjen e Portit të Durrësit, Kryeministri Rama foli edhe për akuzat e rënda të opozitës. Me ironi ai tha se ‘Ju kam lënë Zotin’ teksa citoi edhe një pjesë të një veprë të Faik Konicës ku flet për të gjithë ata që ‘duan të japin jetën për Atdheun’.

“Ju kam lënë Zotin sepse mendoj se vetëm ai mund të zgjidhë të pazgjidhshmen në këtër rast. Por sot po ju lë ju të paudhëve që hoqët gozhdën dhe ju mbeti vrima, po ju lë Faik Beun, i cili na ka dalë borxhit”, tha Rama duke cituar si më poshtë Konicën:
Ndër turinjtë më të dendur të Shqipërisë, duhet vënë re ai që është “gati të vesë për kombin”.

U kapa me fjalë një ditë, me një njeri kësaj cipe, e ja shkurtimi i të folurit tonë:

Unë – Kur je gati për të vdekur për atdhenë, ç’pret?

Ai – S’erdhi koha.

Unë – Mos prit luftën e madhe. Që të nxehësh zemrat, që ta afrosh ditën e mirë, qite pallën, hidhu bëj një trimëri të shkëlqyer për atdhenë të çuditen bota e të çuditemi të gjithë.

Ai – S’erdhi koha.

Unë – Sille, në mos erdhi”

Ai – Pa më thua, pse s’vete të vritesh më parë ti që qenke më trim? A po s’erdhi as për ty koha?

Unë – S’erdhi, e, për mua, s’do të vijë kurrë. E sheh unë s’rrenj. S’jam trim unë. A shkrova, a thashë kurrë se do të nisem për luftë? Jo! Se nuk është puna ime. S’jam njeri i luftës. Palla ime është penda, atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë.

Ai – S’erdhi koha. Sot për sot sado trimërira të bëhen do të venë kot.

Unë – Asgjë s’vete kot. Trimëria që duket më e panevojshme, po të bëhet me mendje që t’i shërbejë atdheut, kot nuk vete. Ja një punë e mirë: Në do, ngjitu në Tour Eiffel (Kullë e Parisit) e hidhu poshtë, të thyhesh në një qind copë. Më par, shkruaj këtë biletë e vëre në taskë: “Vras vetem për të provuar se shqiptarit nuk i dhembet jeta. Për fare gjë e vrava veten. Le të kuptojë tani Evropa, me anë të gazetave, se ç’mund të bëjë shqiptari. Kur të jetë nevoja të vritet, jo për fare gjë, po për Atdhenë.”

Ai – Talle me mua.

Unë – Nuk tallem me ty. Në mos do të vrash veten, megjithëse je gati për të vdekur, çap në Shkodër, në Gjakovë, në Berat a në Gjirokastër, e, në mes të pazarit, thirr si tellalli të drejtat e Shqipërisë. Ja një punë e mirë. Ç’do t’të bëjnë më të ligë se të të vrasin, punë përë të cilën ti thua se je gati.

Ai – Fjalë, fjalë, s’erdhi koha, baba!

Unë – Në mos erdhi koha për të vdekur, djalë, erdhi një kohë tjetër: erdhi koha të ngrihesh e ta kapërcesh me vrap pragun e derës sime, se mjaft më çave kokën!