Për herë të parë organizatat euroatlantike ku aderon edhe Shqipëria, sot kanë përdorur një fjalor të papërdorur kurrë në çdo akt dhune që ka ndodhur. OSBE paralajmëroi sot se dënon ‘nxitjen politike të dhunës’, që i drejtohet direkt partive politike që po nxisin dhunën kundër institucioneve të demokracisë.
OSBE ka reaguar sërish pas protestës së opozitës të zhvilluar pasditen e sotme deri në orën 20:00, për rreth 3 orë.
OSBE dënon nxitjen politike të dhunës dhe bën thirrje për përmbajtje. Duke përmendur, djegien e gomave, përdorimin e shashkave dhe çarjen e kordonëve të policisë, OSBE thotë se nuk janë akte demokratike. Po kështu OSBE ka dhe një porosi për policinë.
“Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë.
Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë.
Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjesëtimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta”, deklaron OSBE.
Veritas.com.al/