Frrok Çupi/
Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, sot u shfaq para publikut nervoz dhe i jeshilët në fytyrë. U shfaq jo para një publiku të zakonshëm- siç jemi mësuar ta shikojmë herë në mal e herë në bregdet; por para një audience të lartë, në praninë e autoriteteve të shtetit, të Amerikës dhe të Euroatlantizmit.
Zoti Meta, gjatë konferencës mbi ‘Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të Jashtëm në kohën e integrimit euroatlantik’ të iniciuar nga Qendra Marshall me qendër në Gjermani, që prej fillimit deri në fund shfaqi mimikë të pakontrolluar, lojë me telefonin mbi tavolinë, mungesë përqendrimi ndaj panelistëve dhe personaliteteve të pranishëm. Në krah të tij ndodheshin dy ish- presidentë shqiptarë, ambasadorja e Gjermanisë, përfaqësuesi i Qendrës Marshall dhe përfaqësuesi ushtarak i ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Por presidenti i Republikës i sfidoi të gjithë, sikur t’u thoshte “kush jeni, çfarë kërkoni këtu!’.
Fjala që mbajti presidenti i Republikës në seancën e parë të konferencës përmbante kulmin e mos- kontrollit të vetes dhe të mesazheve të rënda për Sigurinë në rajon dhe në Shqipëri. Zoti Meta, në asnjë nga fjalitë e fjalimit të tij, nuk e konsideroi faktin e njohur botërisht se rajoni rrezikohet nga ndërhyrjet e Rusisë. Kohët e fundit edhe në vendin tonë ky fenomen është diskutuar, pranuar dhe mohuar në të gjitha format. Opozita, ku partia e zotit Meta bën pjesë, është përmendur nga kancelaritë perëndimore si e përfshirë në krijimin e kushteve për ndërhyrje nga Rusia, ose Kina ose Turqia.
Gjatë fjalës së tij, zoti Ilir Meta sfidoi përfaqësitë e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Europës duke iu plasur në fytyrë opinionin e tij se ‘Reforma në Drejtësi që ju po drejtoni, nuk është reformë”. Ai e quajti ‘një formë e re për kapjen e drejtësisë’. Shtetet e Bashkuara dhe BE e kanë konsideruar Reformën e iniciuar prej tyre si një nga sukseset që është arritur në Republikë për sundimin e ligjit dhe modernizimin e shtetit.
Zoti Meta i përqeshi në sy përfaqësuesit e Amerikës dhe të BE duke iu hedhur përpara ‘peshqit’ e korrupsionit. Ky definicion është përmendur nga ambasadori amerikan dhe pastaj nga evropianët. Por zoti Meta tha “atëherë merruni me peshqit e përrallat tuaja”. Të pranishmit, natyrisht që mund ta lidhnin arrogancën dhe nervozizmin e presidentit me opinionin se ‘peshk i madh mund të jetë vetë Presidenti’, i cili është akuzuar prej vitesh për një korrupsion ‘spektakolar’.
Presidenti Meta, përmes nervozizmit kundërshtoi edhe një aspiratë qindra vjeçare të shqiptarëve për ‘bashkimin e kombit’ të ndarë në disa shtete, sidomos në Kosovë. Këtë ide ai e quajti ‘delir’. Me këtë rast donte të hidhte ‘gurë’ mbi kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Hashim Thaçi, që kanë përmendur hapur këtë ide kohët e fundit. Por gurët kundër ‘armiqve’ personal të Metës goditën vetë kombin.
Me rastin e konferencës presidenti ngriti zërin, por shumë të nervozuar, se këtu kemi një ‘krizë shumë të madhe’ politike. Ndërsa për vete nuk mori asnjë përgjegjësi. Ai deklaroi se nuk do të iniciojë ndonjë dialog mes ‘palëve’, sepse sipas presidentit shumë nervoz, nuk mund të ulen ‘një palë që nuk do kryeministrin, me një palë që i thur lavde 30 qershorit’.
Situata nervoze e manifestuar para botës, e presidentit të Republikës, është për t’u alarmuar. Në këto rrethana Republika është më mirë pa kryetar se sa me një kryetar që mund të shpërthejë papritur në veprime të pa kontrolluara.
Kulmi i gjendjes nervoze të presidentit të Republikës arriti sot, një ditë shënuar dhe kulmore, jo për shkak të Konferencës, por për shkak të akuzave që kanë dalë sheshit ndaj presidentit. Dje dhe sot media europiane e ka ‘spikatur’ presidentin shqiptar si një ‘ikonë’ të korrupsionit, i cili sa më shumë video skandale ka, aq më lart ngjitet në karrierë.
Dje, një nga gazetarët investigativ, ka shpallur se ‘dosja 978’ me mijëra faqe mbi vjeljen e parave nga Meta për blerjen e votave, nuk është djegur siç e dinte Meta, por ndodhet në dorë të gazetarit.
Sot media ka publikuar një nga dëshmitë tronditëse të gruas së një bashkëpunëtori të ngushtë dhe pastaj armik i madh i Metës rreth vjedhjeve që janë bërë në CEZ ku ka dorë të madhe edhe presidenti Meta…
Nesër e pasnesër mund të dalin dëshmi të tjera po kaq tronditëse. Vallë do të kemi në krye të shtetit një president akoma edhe më nervoz e të paqëndrueshëm?…
Kjo është çështja.