Vendet e Ballkanit Perëndimor, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, mund të marrin statusin ‘vend i asociuar i BE’, një status i ndërmjetëm deri në anëtarësimin e plotë që do t’i jepte rol më të madh politik në Union, do t’i lejonte pjesëmarrje në tryezat e mëdha të Brukselit si dhe në vendimmarrjet për çështje të rëndësishme si krizat apo ato të sigurisë.
Idenë për një status të tillë për më shumë pjesëmarrje të ballkanasve në familjen europiane ka qenë e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, dhe kjo u konfirmua në Tiranë edhe nga Presidenti i Këshillit Evropian, institucionit më të lartë të Bashkimit Evropian, Charles Michel. Në konferencën për shtyp me Ramën, tij Michel tha se vendet e Ballkanit nuk do të lihen mënjanë
‘Do ju tregoj një sekret, para disa muajsh ishim në Suedi për aktivitet dhe shkëmbyem ide me njëri-tjetrin. Kryeministri më tha se sa e rëndësishme është të përfshijmë udhëheqësit që t’i kemi me 27 udhëheqësit të BE. Po zbatojmë këtë qasje për të pritur për një vendim përfundimtar për anëtarësimin në BE. Një ide shumë pranë e këtij koncepti është e ‘anëtarëve të asociuar’, pra qasje e përafërt që të kemi formatet e duhura që të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë vështirësitë dhe si të kujdesemi për njëri-tjetrin. Të jemi konkretë dhe operacionalë, prandaj e ritheksova mbështetjen time personale për iniciativën e Ballkanit”, tha Michel
Për këtë ide foli edhe Kryeministri Rama, i cili u shpreh se kjo do t’i jepte fund një herë e mirë edhe paranojave që thonë se Bashkimi Evropian i ka lënë mënjanë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Të hedhë një hap më tutje për ta afruar politikisht shumë më pranë Ballkanin Perëndimor, duke bërë një integrim të menjëhershëm në aspektin politik. Pra, të pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat evropian, në proceset e vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, përballimin e krizave etj. Të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë. Të kemi edhe detyrime të njëjta. Ideja e anëtarit të asociuar të BE-së tha se është një ide që po merr mbështetje gjithmonë e më shumë. Unë e mbështes vizionin e Presidentit të Francës, por këtë Komunitetin e ri Politik në BE. Të gjithë të jenë të përfshirë dhe kështu sigurisht për sa na takon edhe më afër Bashkimit Evropian. Kjo do t’i jepte fund të gjitha spekulimeve dhe paranoja që BE po na mban aty larg”, tha Rama.