Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar këtë të premte kryeministrin Edi Rama, për të pasuar në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushatin.
Kandidatura e kryeministrit iu dërgua kreut të Shtetit pas refuzimit që ky i fundit i bëri propozimit të kryeministrit Rama, Gent Cakaj, për postin e kryediplomatit të Shqipërisë.
Rama e gjeti këtë si një zgjidhje të përkohshme, derisa të ngrihet Gjykata e re Kushtetuese, që do të zgjidhë ngërçin mes Kryeministrisë dhe Presidencës.
Njëkohësisht, presidenti Meta ka dekretuar edhe shkarkimin nga detyra të ish-ministrit Bushati.
Propozimi i ri për emërimin e kryeministrit edhe në funksionin e ministrit të Jashtëm shkoi në tryezën e presidentit më 14 janar.
“Emërimi i kryeministrit edhe në detyrën e ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin, që ushtrimi i detyrës së ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive, pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për shtyp nga zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.
Në fund të deklaratës, zëdhënësi thekson gjithashtu se presidenti ka mbajtur në konsideratë në shqyrtimin e këtij propozimi, edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Veritatas.com.al/