KOMENT/

Sapo ka mbaruar takimi prej më shumë se një orë me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë për media, por është shfaqur mjaft i tensionuar. Menjëherë ka thënë se ‘nuk kam qenë pjesë e bisedimeve për Reformën Zgjedhore, pastaj ka folur si opozitë. Në emër të opozitës, presidenti Meta ka garantuar se ‘opozita nuk ka kërkuar qeveri kujdestare’. Në fakt ky pohim ishte refleks i një paniku pas daljes nga takimi me Kim, sepse dihet botërisht që opozita ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë edhe publikisht ‘qeveri kujdestare’.

Presidenti Ilir Meta ka komentuar ngërçin për Reformën Zgjedhore mes palëve politike duke zbuluar kështu anësinë e tij politike.

“Në dijeninë time opozita nuk ka vënë kusht qeverinë transitore”, tha Meta, duke shmangur komentin për deklaratën e Kim e cila tha se “topi është te Basha”.

“Unë nuk kam qenë pjesë e diskutimeve dhe as nuk e shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e tyre. Unë dëshiroj të kalojë në konsensus sa më shpjet se është një detyrim ndaj qytetarëve që të keni siguri që vota e tyre është e lirë dhe e barabartë.

Së dyti është kusht për integrimin në BE dhe është shumë e rëndësishme për në qershor dhe është e rëndësishme të arrihet që Komisioni Evropian të shënojë një lajm pozitiv. Kështu e plotësoi diskursin presidneti Meta duke dashur të jetë ‘korrekt’ politikisht dhe ndërkohë t’i japë mesazh ambasadores amerikane se ‘unë shikoj nga Evropa’, jo nga Amerika.

VERITAS.COM.AL/