Presidenti shqiptar Ilir Meta i ka shprehur sot keqardhjen e tij presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me votën e djeshme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA.
Letra dërguar presidentit Trump:
I nderuar Zoti President,
Ju falënderoj shumë për urimet e përzemërta që më dërguat me rastin e kremtimit të 105-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së vendit tim!
I vlerësoj jashtëzakonisht shumë mesazhet Tuaja inkurajuese, veçanërisht për marrëdhëniet tona të forta, të mishëruara në partneritetin strategjik e dëshiroj, me këtë rast, të shpreh sërish mirënjohjen për mbështetjen e vyer që Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i jepni Shqipërisë në rrugën e reformave, në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës e kontrollit të kufijve, sfida që lidhen ngushtë me sigurinë kombëtare të vendit tim, të rajonit të Ballkanit dhe të pellgut të Mesdheut.
Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për miqësinë e fortë që SHBA i ka ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve për më shumë se një shekull dhe Ju siguroj se Shqipëria do të vijojë të jetë aleat e partner besnik në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe do të kontribuojë gjithmonë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Si anëtare në NATO, Shqipëria do të vijojë të jetë aleate aktive, kudo ku kërkohet kontributi i saj.
I dashur President Trump,
Dëshiroj të shpreh keqardhjen e madhe për votën e Shqipërisë dje në OKB kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij.
Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare.
Me urimet më të mira për festën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri 2018, për shëndetin e lumturinë Tuaj dhe të familjes Tuaj, për më shumë begati, zhvillim e përparim për Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan, Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!