Koment/

Presidenti i Republikës Ilir Meta dëshmon në Prokurorinë e Tiranës për kreun e KED Ardian Dvorani. Në orën 12:09 Presidenti ka mbërritur në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij, i shoqëruar nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishi.

Presidenti Meta pritet të shpjegojë para prokurorëve faktin penal të pretenduar në kallëzimin e bërë prej tij ndaj Dvoranit. Mësohet se Prokurori i çështjes është Alket Mersini.

Më 19 nëntor presidenti nënshkroi kallëzimin penal për ‘shpërdorim detyre’ ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani duke e cilësuar këtë padi si një mundësi historike për Reformën në drejtësi.

Padia e Presidentit u dorëzua në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nëse padia e Metës rezulton në prokurori si indicie personale, atëherë presidenti i republikës duhet të kallëzohet për dëshmi të rremë në dëm të personit.

Gjykatësi Ardian Dvorani është i vetmi anëtar i trupës gjykuese ndaj Ilir Metës në çështjen korruptive të nominuar si ‘kaseta e Dritan Priftit’ i cili ka votuar jo në favor të lirimit të Metës nga akuza për korrupsion.

Meta u përplas me Dvoranin për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, teksa tha se përzgjedhja u bë në mënyrë mafioze, duke e cilësuar kreun e KED një ushtar të verbër të partisë.

Veritas.com.al/