Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të tij kanë bërë pasditen e së mërkurës betimin në para presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta

Në ceremoninë e zhvilluar, në praninë e presidentit Ilir Meta, kreu i qeverisë dhe ministrat janë betuar se do të zbatojnë Kushtetutën në interes të qytetarëve dhe vendit.

Në momentin e betimit, mes kryeministrit dhe presidentit të Republikës ka patur edhe një shtrëngim duarsh. Duke marrë fjalën në këtë akt, Meta ka shprehur urimin që qeveria e re të jetë në lartësinë e detyrave që e presin.

“Dëshiroj që në këtë moment të rëndësishëm të ndaj me ju urimin më të sinqertë për suksese dhe rezultate sa më pozitive në qeverisjen e vendit. Qytetarët presin përpjekje më të mëdha për të përballur sfidat që kemi përballë”, ka deklaruar presidenti Meta.

Në cilësinë e presidentit, zoti Meta ka kërkuar përshpejtimin e zbatimit të reformës në drejtësi, ndërkohë që theksin e ka vendosur edhe tek integrimi europian.

“Anëtarësimi në BE është një aspiratë kombëtare, ndaj besoj se mazhoranca dhe opozita do të bashkëpunojë ngushtë për çeljen e negociatave sa më parë të jetë e mundur”, ka thënë Meta.

Ndër të tjera, kreu i shtetit ka vënë në dukje se, qeveria duhet t’i përgjigjet kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi dhe krimi i organizuar, ndërsa ka shtuar se një rëndësi të veçantë sa i takon sigurisë së vendit dhe rajonit janë marrëdhëniet e mira me fqinjët.

Kabineti i ri qeveritar ka 14 ministra, më i vogël në numër se kabineti i shkuar i qeverisë “Rama 1”.

Vritas.com.al/