AFP, 5 Janar 2020
Zagreb (AFP) – Kroatët shkuan në votime të Dielën për të zgjedhur një president të ri në një votim të pasigurt, ku konservatorja në detyrë – duke u përpjekur të bashkojë krahun e djathtë të thyer – përballet me një sfidë serioze nga një ish kryeministër i majtë.
Rreth 3.8 milion njerëz kanë të drejtë të votojnë në një votim që po mbahet vetëm disa ditë pasi Kroacia mori përsipër kryesinë e Bashkimit Evropian për një periudhë gjashtë mujore, e cila do të mbizotërohet nga Brexit dhe zgjerimi i bllokut.
Në të njëjtën kohë, anëtarja më e re e BE-së po lufton me një eksod masiv të njerëzve të saj, korrupsionin dhe një ekonomi te dobët në vend.
Presidentja aktuale e qendrës së djathtë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, po bën fushatë me kartën e një “Kroacie te vërtetë”, dhe Zoran Milanoviç, një ish-kryeministër Social Demokratik, po premton një demokraci liberale “normale” të qytetarëve të barabartë.
Rezultati i votimit për postin kryesisht ceremonial është i pasigurt, me anketën e fundit nga agjencia Ipsos që i dha Milanoviçit një epërsi prej tre për qind ndaj Grabar-Kitaroviç.
Kjo e fundit, e mbështetur nga partia në pushtet HDZ, do të duhet të joshë prapëseprapë mbështetësit e linjes se ashpër që votuan për një këngëtar popullor nacionalist në raundin e parë të zgjedhjeve në dhjetor.
Duke dominuar në qytete, Milanoviç udhëhoqi raundin e parë me rreth një të tretën e votave, pjesërisht falë asaj ndarjeje mes krahut të djathtë.
Analistët thanë se rezultatet e raundit të parë treguan një rritje të mbështetjes për linjën e ashpër, një prirje që shihet në vendet e tjera evropiane si Polonia apo Hungaria.
– “Kroacia që bashkon” –
Nëse Grabar-Kitaroviç nuk arrin të fitojë presidencën, ajo do ti bënte një goditje të rëndë HDZ, Kryeministri i moderuar i të cilës Andrej Plenkoviç përballet me zgjedhjet parlamentare më vonë këtë vit.
“Unë jam një Kroaci që bashkon,” tha Grabar-Kitarovic, 51 vjeç, gjatë një debati zgjedhor në TV me rivalin e saj.
Uniteti, patriotizmi dhe referencat për luftën e pavarësisë së viteve 1990, që mbetet një çështje emocionuese, ishin pikat kryesore të ofertës së saj për rizgjedhje.
“Ne duhet të bashkohemi si në vitin 1990”, përpara se vendi të shpallte pavarësinë nga Jugosllavia, presidentja e parë femër e Kroacisë u tha mbështetësve të saj në Zagreb.
Ndërkohë, Milanoviç këmbënguli se “luftërat kanë mbaruar” dhe Kroacia tani duhet të luftojë për vendin e saj në Evropë.
“Nuk ka” Kroaci të vërtetë “… përkundrazi një republikë Kroate për të gjithë, qytetarë të barabartë,” tha 53-vjeçari ne një tubim fushate në Zagreb.
– Eksodi i përshpejtuar –
Duke e paraqitur veten si “gruaja e popullit” me origjinë modeste bujqësore, Grabar-Kitaroviç është e njohur për marifete të tilla si të kënduarit në publik, të cilat kritikët e saj i quajnë si të sikletshme.
Ajo gjithashtu ka qenë nën akuza te forta për minimizimin e krimeve te kryera nga regjimi pro-nazist i Luftës së Dytë Botërore në Kroaci.
Ndërkohë, Milanoviç është duke u përpjekur të bëjë një rikthim politik dhe të rrëzoje reputacionin si njeri arrogant dhe elitist.
Kryeministër nga viti 2011 deri në vitin 2016, ai u mirëprit në atë kohë si një politikan i ri brilant, i pastër nga ndikimi i korrupsionit që ngjallte rivali i HDZ.
Por entuziazmi u zbeh pasi qeveria e tij nuk arriti të coje përpara reformat shumë të nevojshme.
HDZ në pushtet shpreson të mbajë në detyrë Grabar-Kitaroviçin gjatë presidencës së BE , ku katër çështje kryesore mund të mbizotërojnë – marrëdhëniet e bllokut me Britaninë e Madhe pas Brexit; ofertat e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor; ndryshimi i klimës; dhe korniza buxhetore e bllokut për dekadën e ardhshme.
Kroacia u bashkua me BE në 2013, por ekonomia e saj, duke u mbështetur fuqimisht në turizëm në bregdetin e saj Adriatik, mbetet një nga më të dobëtat.
Kufijtë e hapur të BE gjithashtu përshpejtuan eksodin e popullit të saj për të kërkuar pagë më të mirë në vendet anëtare më të pasura.
“Të rinjtë tanë po largohen, ky është problemi më i madh” ndërsa politikanët janë vetëm “duke fyer njëri-tjetrin”, i tha AFP Stjepan Golub, një 70-vjeçar nga Zagrebi.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 të mëngjesit (0600 GMT) dhe mbyllen 12 orë më vonë, dhe rezultatet e para priten rreth orës 1900 GMT.
VERITAS.COM.AL/