Të pranishëm në prezantim ishin ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Naureda Llagami.

Kjo e fundit e ka konsideruar një domosdoshmëri ndërmarrjen e këtij hapi.

“E kam ngritur këtë shqetësim në Kuvend dhe kudo. Sot jemi shumë vonë dhe harta nuk do të jetë e mjaftueshme”, u shpreh Llagami.

Ajo kërkoi që të vihet në punë një vizion më i gjerë dhe një zgjidhje ku, në fund, të fitojnë qytetarët.

“Jam dakord me shqetësimin se qytetarët kanë nevojë për shërbime ligjore. Koncepti ynë është më pak gjykata dhe më shumë cilësi”, tha kryetarja e KLGJ-së.

Nga ana tjetër, ministri Manja e ka cilësuar takimin një hap të rëndësishëm për të maksimizuar efektivitetit e drejtësisë.

Sipas tij, ky do të jetë një proces thellësisht i drejtuar nga realiteti në Shqipëri.

Ai shpjegoi sesi do të nisë ky proces, duke vendosur qytetarin në fokus.

“Harta Gjyqësore do të forcojë besimin se Reforma në Drejtësi do të sjellë rezultatet”, tha Manja në fjalën e tij.

Ministri bëri me dije se do të ketë një sportel për qytetarët, ku do të depozitojnë ankesat dhe se çështjet gjyqësore nuk do të zgjasin më aq gjatë.

“Edhe në nivel Apeli, nisur nga lëvizjet demografike, 90% e qytetarëve do të kenë akses në Apelin e Tiranës. Kjo është zgjidhja më e balancuar që do të sjellë normalizimin e ngarkesës, seancat nuk do të shtyhen më për kohë të gjata duke ulur kostot”, përmbylli ministri fjalën e tij.

Çfarë do të thotë kjo Hartë?

Prej muajsh, projekti i hartës i është dërguar Ministrinë e Drejtësisë.

KLGJ-ja, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, më 8 qershor e ka hartuar këtë projekt, që i është dërguar për shqyrtimin Ministrisë.

Sipas hartimit, Këshilli ka propozuar që nga “22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, gjashtë gjykatat administrative të shkallës së parë dhe gjashtë gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe dy gjykata administrative në shkallë të parë, dhe një gjykatë apeli”.

Me fjalë të tjera është kërkuar një ulje e numrit të gjykatave.

Në deklaratë shkruhet se “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.