Nga: THOMAS D. WILLIAMS, PH.D.

ROME – Një prift 72-vjeçar në Itali ka vdekur nga koronavirusi pasi ja dha respiratorin e tij një pacienti më të ri, të cilin nuk e njihte.

Famullia bleu një respirator për At Giuseppe Berardellin, nga qyteti Casnigo në provincën veriore italiane të Bergamos, pasi prifti ishte testuar pozitivisht për koronavirusin. Duke dëgjuar se ishte një pacient tjetër, më i ri që vuante nga sëmundja dhe që nuk kishte ventilator, At Berardelli i dha të tijin.

“At Giuseppe Berardelli vdiq si prift”, tha një nga punonjësit e kujdesit shëndetësor në shtëpinë e pleqve të Shën Jozefit ku jetonte prifti. “Jam thellësisht i tronditur nga fakti se ai, si kryeprift i Casnigos, hoqi dorë lirisht nga respiratori i tij për t’ja dhënë dikujt më të ri se ai.”

Prifti vdiq gjatë natës së 15 marsit në spitalin e Loveres, në Bergamo, por historia e tij filloi të qarkullojë në mediat Italiane vetëm të hënën. Si shumë të tjerë që i janë nënshtruar sëmundjes, At Berardelli vuante nga komplikime të rënda shëndetësore.

Prifti i ndjerë është duke u krahasuar me Shën Maximilian Kolben, një prift Polak, i cili u dërgua në kampin e përqendrimit të Aushvicit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ofroi të merrte vendin e një të burgosuri tjetër që ishte dënuar me vdekje.

Në dënimin për një të burgosur të arratisur, rojet kishin zgjedhur rastësisht dhjetë të burgosur që të vdisnin nga uria. Njëri nga burrat e zgjedhur filloi të përgjërohej për jetën e tij, duke insistuar se ai kishte një grua dhe një familje. Në atë pikë, At Kolbe ofroi të merrte vendin e burrit, duke theksuar se ai nuk kishte grua, pas së cilës prifti u hodh në bunkerin e urisë, ku vdiq ditë më vonë.

Të paktën 50 priftërinj thuhet se kanë vdekur me koronavirusin në Itali, shumë prej të cilëve ndoqën thirrjen e Papa Françeskut për të dalë dhe ndihmuar të tjerët gjatë kësaj kohe të vështirë, madje edhe në rrezik të jetës së tyre.

Që nga e hëna në mbrëmje, Italia ka raportuar 6.077 vdekje të personave me koronavirus, në një moshë mesatare 81 vjeç, pothuajse të gjithë vuanin nga sëmundje të tjera të rënda. Që nga 9 Marsi, Italia ka qenë nën një bllokim të imponuar nga shteti, me ekonominë e tij në gjendje të ndalur dhe qytetarët të mbyllur në shtëpitë e tyre.

VERITAS.COM.AL