Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë deklaratën e presidentit amerikan, Joe Biden, se qasja e tij ndaj luftës në Gaza “po dëmton Izraelin më shumë se sa po e ndihmon” duke përshkallëzuar një mosmarrëveshje midis liderëve.

Gjatë fundjavës, presidenti amerikan tha se Netanyahu duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje viktimave të pafajshme që po vriten si pasojë e veprimeve të ndërmarra në Gaza dhe se qëndrimi i tij ishte i dëmshëm për interesat e Izraelit.

Netanyahu u përgjigj të dielën mbrëma në një intervistë për Politico.

“Nëse Biden do të thoshte “që unë po ndjek politika kundër dëshirës së shumicës së izraelitëve, dhe se kjo po dëmton interesat e Izraelit, atëherë ai e ka gabim në të dyja aspektet”.

Biden, i cili ka mbështetur Izraelin gjatë luftës pesë-mujore me Hamasin, por zhgënjimi i të cilit me Netanyahu është bërë gjithnjë e më i dukshëm, e kritikoi atë në një intervistë me MSNBC.

Biden tha se një pushtim i mundshëm i Rafah, vendi i fundit i sigurisë relative në Gaza ishte “një vijë e kuqe” për të.

Dështimi i Netanyahu për të siguruar lirimin e pengjeve që ende mbahen nga militantët e Hamasit, sulmi i të cilëve më 7 tetor në Izraelin jugor shkaktoi luftën, ka çuar në protesta të vazhdueshme në Izrael dhe thirrje për zgjedhje të parakohshme, duke përfshirë përsëri në Tel Aviv të shtunën mbrëma.

Lufta në Gaza filloi me sulmin e paprecedentë të Hamasit, i cili vrau rreth 1 mijë e 160 njerëz, kryesisht civilë. Fushata ushtarake hakmarrëse e Izraelit, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, të drejtuar nga Hamasi, ka vrarë të paktën 31 mijë e 045 njerëz në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë.

Por Netanyahu tha në intervistë se kjo shifër përfshinte 13 mijë militantë.

“Si ta di unë këtë? Sepse forcat tona kanë vrarë të paktën 13 mijë luftëtarë terroristë, “tha ai, pa elaboruar se si është nxjerrë kjo shifër.

Hamasi nuk ka thënë se sa nga anëtarët e tij janë vrarë në luftime.

Pas pesë muajsh lufte, OKB-ja thotë se një e katërta e njerëzve në Gaza janë në prag të urisë. Ministria lokale e shëndetësisë tha të shtunën se 23 persona, përfshirë disa fëmijë, kishin vdekur nga dehidrimi ose kequshqyerja në 10 ditë.

Përpjekjet e agjencive të ndihmës për të çuar ndihmën humanitare atje ku është më e nevojshme janë penguar nga një kombinim i pengesave logjistike, një prishje e rendit publik dhe kërkesave të gjata të vendosura nga Izraeli.

Plani për hapjen e një korridori detar të mbështetur nga BE-ja nga Qiproja, së bashku me ndihmat nga SHBA, Jordania dhe të tjerët, pasqyron një zhgënjim në rritje edhe tek aleatët më të afërt të Izraelit se nuk po bën mjaftueshëm për të dërguar ndihma për civilët e Gazës.

Numri i kamionëve me ndihma që hynë në territor nga toka gjatë pesë muajve të fundit ka qenë shumë më i ulët se 500 në ditë që hynin para luftës. Autoritetet izraelite kanë mohuar vazhdimisht akuzat se ka bllokuar shpërndarjen e ndihmave.

“Hamasi ka vjedhur ndihma humanitare dhe ka grumbulluar pajisje dhe ushqime për Ramazanin për liderët terroristë në vend të civilëve të Gazës në nevojë”, tha të shtunën zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Adm Daniel Hagari.

Ka pasur një presion në rritje ndaj Izraelit dhe Hamasit për të rënë dakord për një armëpushim përpara Ramazanit, i cili fillon të hënën. Megjithatë, asnjë marrëveshje nuk është bërë.

Një anije ndihmash që transportonte 200 tonë ushqime do të nisej për në Gaza nga Qipro gjatë fundjavës, por u vonua për shkak të “vështirësive teknike”.