Parlamenti gjerman pritet të formalizojë sot rezolutën e partive të koalicionit qeverisës që i rekomandon qeverisë federale të mbështesë hapjen me kushte të negociatave me Shqipërinë, në samitin e liderëve evropianë të 18 Tetorit në Bruksel.

Dokumenti u miratua të martën nga deputetët e grupimeve CDU/CSU dhe socialdemokratët. Mbështetja për Shqipërinë nënkupton përmbushjen e 9 kushteve, që Shqipëria duhet të plotësojë për nisjen në praktikë të negociatave mes Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare.

Deri pranverën e ardhshme kërkohet ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, si dhe të merret vendim  për Reformën Zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Në kushtet e tjera që duhet të përmbushen para se të hapen dy kapitujt e parë të negociatave, përfshihen zbatimi i Reformës Zgjedhore, fillim i procedurave penale kundër gjykatësve dhe prokurorëve, të akuzuar në procesin e Vetting-ut, hetimi dhe dënimi i vjedhësve të votave, si dhe ngritja dhe funksionimi i SPAK. Po ashtu si prioritet shihet kapërcimi sa më shpejt i krizës politike.

Veç mbështetjes që ka marrë nga grupet parlamentare të shumicës qeverisëse, edhe të gjelbrit, liberalët dhe të majtët pritet ta mbështesin këtë rezolutë. Madje të gjelbrit akuzuan kristiandemokratët e Kancelares Merkel për taktika zvarritëse ndaj Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.

Me votw ‘kundër’ pritet të jenë euroskeptikët nacionalistë të Alternativës për Gjermaninë.

Veritas.com.al