Kryeministri Edi Rama ishte sot, më 17 qershor, i ftuar nderi në Konferenca Vjetore e Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, ku në fjalën e tij theksoi se Shqipëria po ndërmerr një nga transformimet më ambicioze digjitale në Europë.
Duke folur në Berlin, Rama u ndal te digjitalizimi i administratës publike, përdorimi i inteligjencës artificiale në qeverisje dhe nevoja për reduktimin e burokracisë, duke theksuar se 95% e shërbimeve publike tashmë janë digjitalizuar.
Ai vuri gjithashtu në dukje se Ballkani Perëndimor duhet të shihet si kontribuues në konkurrueshmërinë e ardhshme të Europës dhe jo vetëm si rajon kandidat për anëtarësim, ndërsa paralajmëroi se një nga sfidat më të mëdha të kontinentit mbetet gërryerja e demokracisë në epokën e mbingarkesës me informacion dhe zhvillimit të teknologjive të reja.
“Nga ana e saj, Shqipëria në shkallën saj modeste, po punon për një nga transformimet digjitale më ambicioze në Europë. Ne po rikonceptojmë administratën publike të përqendruar në teknologji. Kemi digjitalizuar 95% të shërbimeve publike. Ulja e burokracisë është kthyer në idenë tonë fikse.
Po shtrijmë inteligjencën artificiale në të gjithë qeverisjen. Jo sepse teknologjia është në modë, por sepse inovacioni është bërë rruga më e shkurtër nga periferia drejt qendrës. Një Shqipëri më e gjelbër, më digjitale dhe më novatore është e mirë jo vetëm për ne është e mirë për Europën.
Sepse konkurrueshmëria e Europës do të varet gjithnjë e më shumë nga mobilizimi i gjithë talentit të saj, gjithë gjeografisë së saj dhe gjithë potencialit të saj dhe Ballkani Perëndimor nuk është thjesht kandidat për anëtarësim. Ne jemi kontribuues në konkurrueshmërinë e ardhshme të Europës. Sa më shpejt Europa të fillojë ta shohë zgjerimin jo si lëshim, por si investim, aq më e fortë do të bëhet vetë Europa.
Kjo më sjell te ajo që gjithnjë e më shumë e konsideroj një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Europa. Një sfidë më pak e dukshme se kërcënimet ushtarake. Duket më pak dramatike se krizat ekonomike, por potencialisht po aq e rrezikshme, në mos edhe më e rrezikshme. Gërryerja e vetë demokracisë.
Për dekada me radhë kemi menduar se më shumë informacion do të prodhonte automatikisht qytetarë më të mirinformuar. Ky supozim doli i gabuar”, tha Rama.
Komente