Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas një takimi virtual me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në kuadë të Procesit të Berlinit, ka bërë të ditur se Gjermania do të ndajë tre milionë doza të vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfitojnë Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Merkel po ashtu ka theksuar se ekzistojnë një sërë problemesh mes Kosovës dhe Serbisë, por se një bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit është i nevojshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Bashkëpunimi për një treg të përbashkët rajonal dhe njohja e diplomave, ka shtuar Merkel, është një çështje që nuk është arritur ende, por, siç ka thënë pritet që shpejt të ndodhë një gjë e tillë.
Eliminimi i tarifave për shërbimet e roaming-ut në vendet e Ballkanit Perëndimor, Merkel e ka theksuar si një arritje mes këtyre shteteve.
Eliminimi i tërësishëm i tarifave, ka nisur të zbatohet më 1 korrik 2021. Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve./ REL