Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të sipërmarrjes dhe sektorit bankar, ku u prezantuan projektet e para të zhvillimit të pronave publike shqiptare nga sipërmarrjet private përmes konkurseve ndërkombëtare.
Në një projektet e prezantuara ishte edhe ndërtimi i polit qeveritar ku do të akomodohen mbi 20 institucione, në të cilat do të punojnë mbi 13 mijë punonjës. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama është shprehur se shteti do të jetë partner i pronarëve privatë, të cilëve ju bëri thirrje që të prezantojnë idetë e tyre.
Edi Rama: Të gjithë duhet të ndiheni të lirë dhe të mirë se ardhur në dyert e Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe për propozime që nuk janë në listën e shpallur prej nesh, qoftë në kryeqytet dhe në çdo pjesë tjetër të vendit, ku sipas idesë përkatëse mund të ketë interes për të hyrë në një bashkëpunim me shtetin dhe ku shteti do të jetë i prirur të jetë partner në investim dhe gjithmonë më pak i gatshëm që të dorëzojë prona për zhvillim me ato kushte që janë të përshkruara në legjislacion dhe që kanë shërbyer për një periudhë kohe që e konsiderojmë të tejkaluar. Sot jemi në kushtet kur edhe për zhvillime të kësaj natyre në qytet, kemi të gjithë arsyet të mendojmë që jo vetëm sipërmarrësit vendas që janë baza e këtij partneriteti, por edhe sipërmarrës dhe fonde të huaja kanë shprehur interes. As të mos kërkojmë diçka që del jashtë parametrave mesatarë të tregut, por as të mos bëjmë atë që është bërë në të kaluarën që thjesht të lëshojmë territor.
Komente