Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm shënon ditën e sotme. Të gjithë të fuqishmit e vërtetë të politikës duan ta zhdukin një orë e më parë. Ndër ta edhe vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara, zoti Lu, i cili kishte konflikte të hapëta me Llallën për shkak të privilegjeve që kërkoheshin për kompaninë kanadeze të naftës ‘Bankers’. Pas Lu vjen edhe Vlahutin e BE që nuk ndahet nga i pari.
Por mbi të gjitha, Prokurori i Përgjithshëm Llalla ka bërë disa ‘krime’ kundër politikës së lartë të vendit: Ai ka kërkuar arrestimin e ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i implikuar në një bandë kriminale trafikimi dhe armësh; si dhe të disa zyrtarëve të Policisë- për të njëjtin krim. Zoti llalla u zgjua vonë, por tani që u zgjua, nuk ia falin më. Maxhoranca socialiste mezi po pret të zgjedhë një prokuror që me sa duket, nuk duhet të hapë më çështje kriminale për autorët politikanë.
Zgjidhja është gjetur që kjo të bëhet ‘në bashkëpunim me opozitën’.
Kryeministri Edi Rama, ka ftuar sërish kreun e opozitës Lulzim Basha për të diskutuar për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Pas reagimit të SHBA dhe BE, shefi i qeverisë i thotë Bashës që mos presë që Kushtetutën ta lexojnë ndërkombëtarët.
“LB mos prit të ta lexojnë të huajt Kushtetutën e vendit po eja të flasim shqip për Shqipërinë, siç e kemi për detyrë nga ata që na zgjodhën”, shkruan Rama në FB.
Një ditë më para Rama i bëri një ftesë publike për tu ulur në tryezë “për çështjen aktuale të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të bëjmë një Pakt Kombëtar për Europën që duam”
Gjithashtu e ftoi për paqe në 6 muajt e ardhshëm
Edhe ambasadori i SHBA dhe BE të njëjtin qëndrim për prokurorin: “Të ikë Llalla, të zgjidhet prokuror i përkohshëm”, dmth jashtë Vettingut. Po atëherë, pse u bë gjithë kjo zhurmë mbi Reformën në Drejtësi dhe vettingun?!
Deklarata e ambasadorit SHBA:
“Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga ambasada e SHBA-se.
Deklarata e delegacionit te BE:
“Ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë parashikon dispozita të qarta transitore – siç konfirmohet nga EURALIUS dhe OPDAT në opinionin e tyre në Kuvend. Ne e ftojmë Kuvendin të procedojë në respekt të plotë të ligjit”.
Këshilla e EURALIUS E OPDAT:
“Largoni Llallën, zgjidhni prokuror te përkohshëm me shumice te thjeshtë!”.
Me sa duket, mes krizës që ka mbërthyer politikën mbi krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, ‘prokurori i Përgjithshëm, bie si dhuratë nga qielli. Tani politika do të ‘zgjidhë’ prokurorin që do të lërë politikën në punë të vet…
Veritas.com.al/