Prokuroria e Tiranës rifillon hetimet për dosjen “21 janari” ku fokus ka zbardhjen e autorit që i mori jetën protestuesit Aleks Nika dhe plagosjen e dy shtetasve një dekadë më parë. ReportTv është interesuar pranë prokurorisë së Tiranës e cila konfirmoi rinisjen e hetimit ku gjithçka po drejtohet nga prokurorja Marjeta Zaimi.

Por ky nuk është i vetmi zhvillim me dosjen “21 janari”. Sipas këtij dokumenti të siguruar nga Report Tv rezulton se gjykata europiane e të drejtave të njeriut ka hapur një hetim gjyqësor ndaj Shqipërisë duke pranuar një padi të familjarëve të Aleks Nikës.

Avokatura e shtetit më 20 Maj ka kërkuar nga policia, e prokuroria si dhe ka vënë në dijeni këshillin e ministrave se Gjykata Europaine e të Drejtave të Njeriut (GJED)  ka nisur këtë proces dhe duhet bashkërendim institucional për të përfaqësuar Shqipërinë si palë e paditur. Sipas padisë së dorëzuar në GJED nga familja Nika, ata pretendojnë për shkelje të të drejtave të njeriut, mos kryerjen e hetimeve të plota dhe mospërfshirjen e tyre në proceset e ndjekura ndër vite.

Avokatura tashmë po përgatit një qëndrim përballë GJED. Ende nuk dihet nëse shteti shqiptar do ta pranojë apo jo pretendimin e familjes Nika.

Ndërsa 10 vite e 4 muaj nga 21 janar 2011 prokuroria e Tiranës i është rikthyer hetimit të dosjes së nxehtë dhe pritet që shumë persona të përfshirë në atë ngjarje si në poste publike, role drejtues në gardë dhe protestues të rimerren në pyetje.

Kjo është dosja e parë e nxehtë e cila rihapet nga institucionet e reja të drejtësisë përfshi edhe statusin e pavarur që prokurorët kanë gjatë kryerjes së një hetimit.

Më herët ishte gjykata e lartë e cila vendosi që procesi padi dëmshpërblim mes gardës së republikës dhe dy ish gardistëve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo të shqyrtohet nga gjykata administrative.

VERITAS.COM.AL