Kur kanë kaluar pothuajse 11 vite nga një prej krimeve më të rënda në Shqipërinë Postkomuniste, sot ka dalë një dëshmitarë i ri okular që ka dhënë një tjetër version të të gjithë ngjarjes. Ai është Arben Imami, ish-ministri i mbrojtjes aso kohe, që të gjithë përgjegjësinë ia ka hedhur Lulzim Bashës, duke thënë se ai ka dhënë urdhrin për vrasjen e protestuesve, ku dhe humbën jetën 4 persona dhe jo Berisha.
Imami ka zbuluar ish-kryeministri ka qenë në zyrë së bashku me të dhe ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar, me përjashtim të Lulzim Bashës. Ky i fundit, mungonte në këtë mbledhje të rëndësishme, tha ai, e ndërsa e akuzon se Basha si ministër i Brendshëm dha “ok” për vrasjen e protestuesve duke i marrë jetën Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt. Madje Imami shton se Basha dhe Rama kanë bashkëpunuar, e sipas tij kjo e vërteton fakti që pas 21 janarit Basha u bë kryetar i partisë dhe Rama kryeministër.
’21 janari ka qenë grusht shtetit, se cilët janë aktorët e grushtit të shtetit merret vesh pjesë pjesë.Deklarimi i Bashës është i qartë, kush përfitoi dhe humbi nga 21 janari, përfitoi Basha që u bë kryetar i partisë dhe Rama kryeministër, ishte përfshirë ish-prokurori, kryeministri, dhe kanë ardhur dhe deklarohen, është vetë deklarim për klubin e 21 janarit, ia kam thënë Berishës, këtu një mendje djallzore ka arritur të organizojë këto figura, ndryshe nuk mund të bëjë. Berisha ka qenë në zyrë unë e di, ka qenë me njerëz, ky s’ka qenë aty, urdhrat i jep ministri, ka ardhur Berisha pas 21 janarit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i kam thënë, 1 ushtria nuk del jashtë kazermave dhe nuk i jep asnjë njeri në botë ushtarakëve në kundërshtim me ligjin, por i thashë që askush nuk hyn në kazerma, i gjallë jo, është përgjegjësi e qartë se e kujt është, një grusht shteti, është një plan”, tha Imami.
Kjo deklaratë mjafton për Prokurorinë për të rihapur çështjen dhe për të thirrur dëshmitarët direkt të vrasjeve, duke filluar nga Sali Berisha, tek Lulzim Basha e në fund tek Arben Imami. Po aq e rëndë do të jetë nëse Imami ka gënjyer me qëllim që të sulmojë Lulzim Bashën, në një kohë kur ky i fundit është në një “luftë” me Sali Berishën. Ai duhet të dalë përpara ligjin për dëshmi të rremë, duke zgjuar dhimbje te familjarët e viktimave. Ka mjaftuar kjo përballje e brendshme Basha-Berisha, që demokratët të ndarë në dy kampet të zbulojnë “të vërteta” që janë përpjekur të fshehin prej kohësh.