Megjithëse disa prej tyre kanë deklaruar se u nxitën nga të dyshuarit Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini, prokuroria i ka vendosur nën hetim të 27 kontrollorët që duhet të ishin në detyrë përgjatë tre turneve të datës 7 prill.
Prokuroria ka sekuestruar grafikët e shërbimit për kontrollorët e trafikut ajror gjatë kësaj ditë, shkresat për 5 linjat ajrore të realizuara gjatë kësaj dite dhe konkretisht për destinacionet Vjenë, Milano, Frankfurt, Stamboll dhe Bolonjë dhe për 8 linjat ajrore të pezulluara.
Pranë prokurorisë për pezullimin e fluturimeve janë administruar dy kallëzime, njëri i përket referimit të policisë dhe tjetri referimit të Albcontrol.
Në sekuestrimet e deri tanishme në sallën operacionale sqarohet se si u përshkallëzua konflikti. Inspektori i policisë i quajtur Astrit Kurti me shërbim në vend qëndrimin e avionëve kërkoi informacion pranë kontrollorëve ajrore për linjat ajrore të dates 7 prill dhe se kur do të mbërrinte avioni i linjës Athinë-Tiranë. Ky oficer ka zbuluar se ndërkohë një avion i linjës Rinas- Stamboll,nuk ishte nisur dhe kur efektivi kërkoi shpjegime, marshalli i vendqëndrimit të avionëve e ka informuar se ishin në grevë punonjësit e Albkontrollit dhe se ishin në pritje të një konfirmimi.
Nga ana tjetër, Albcontrol në denoncimin e dytë këmbëngul se gjatë pandemisë trafiku ajror ra në 90 perqind dhe për pasojë pati rënie të të ardhurave të Albcontrol sh.a që u reflektuan në zbritjen e pagave. Vendimi për uljen e pagave është marrë në 20 prill 2020 dhe konflikti shpërtheu mbrëmjen e 6 prillit, kur pesë kontrolloret e parë kanë njoftuar shpalljen e paaftësisë nga stresi për tu ndjekur në orët në vijim me të njëjtin arsyetim nga 31 kolegë të tjerë.
VERITAS.COM.AL