Sali Berisha, si një ngë anëtarët e ‘Grupit të Rithemelimit’ të krijuar në Kuvendin e thirrur prej tij në 11 dhjetor, do të organizojë sot një protestë kundër ardhjes së presidentit serb në Tiranë Aleksandër Vuçiç, në kuadër të nismës ‘Open Balkan’.

Protesta është njoftuar se do të mbahet nga ora 15:30-18-00. Një nga organizatorët, sekretari i FRPD-së, Grigel Muçollari, tha për Report Tv se protesta do të jetë paqësore, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë e shtoi se protestohet edhe për aferën e inceneratorëve.

Nga ana tjetër, sipas gazetarit Arsen Rusta policia ka filluar të ndërmarrë masa, duke vendosur kangjella metalike para kryeministrisë, siç është vepruar edhe në protesta të tjera të mëparshme. Ndërsa instalacioni i kërpudhës së famshme, para kryeministrisë, e cila është dëmtuar nga protesta të hershme të opozitës disa vite më parë, është zvendosur. 2000 forca policie pritet që të jenë të angazhuara, përveç Gardës së Republikës.

Në një postim në ‘Facebook’, Sali Berisha rendit arsyet se përse qytetarët duhet t’i bashkohen protestës.

“Vuçiç është ministër i Millosheviçit. Ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon të ndjekë politikën e shefit të tij.

Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe ndaj nuk duhet lejuar asesi që të konkretizohet.

Edi Rama po bëhet pjesë e këtyre agjendave dhe është bërë një kukull e Vuçiçit, andaj duhet ta ndalim para se të bëhet vonë.

Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiç është nga përgjegjësit kryesorë. Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të”, shkruan Berisha.